Pak kohë më parë kur qeveria njoftoi ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, Belinda Balluku ofroi panelet diellore si opsion kursimi. Ndër të tjera, qeveria deklaroi se do të aprovonte ngritjen e parqeve voltaike të investitorëve shqiptarë për krijim të energjisë nga dielli.
Nëse në atë kohë nuk e kishit kapur kleçkën, skema do ju bëhet pasqyrë e qartë sot në këtë shkrim.
Skandalet me miliona euro të investuara në energjetikë, që në shkrimet investigative të herë-pas-hershme të JOQ është vërtetuar se kanë përfunduar në xhepat e drejtuesve të institucioneve nën varësinë e Ballukut.
Ndërsa në këtë shkrim, njëri nga emrat kyç në skemën e parqeve voltaike është Maksim Et’hemaj, Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar dhe një bashkëpunëtor i afërt i Belinda Ballukut. Përveç rolit të tij në aviacion, ai rezulton të jetë i përfshirë në skemën e ndërtimit të parqeve diellore përmes një kompanie të regjistruar në emër të motrës dhe kunatit të tij.
Firma e motrës së Et’hemaj përfiton licenca për panele diellore
Në tetor të vitit 2020, u themelua kompania “GREEN PLUS ENERGY”, me aksionere Eva Kjaer dhe administrator bashkëshortin e saj Gjergj Pano. Kjo kompani ka si objekt aktiviteti prodhimin e energjisë elektrike përmes impianteve fotovoltaike.
Ajo që bie në sy është se Eva Kjaer, aksionerja kryesore, është motra e Maksim Et’hemaj dhe jeton jashtë Shqipërisë, duke punuar si shefe kuzhine, ndërsa Pano është kunati i drejtorit të Aviacionit Civil Et’Hemajt.
Në 28 prill 2023, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me firmë të Belinda Ballukut, miratoi kontratën për ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 2 MW në Topojë, Fier.
Vetëm një muaj më pas, KKT miratoi lejen zhvillimore për projektin, duke treguar një urgjencë të pazakontë për një kompani pa të ardhura dhe asnjë metër katror tokë në pronësi.
Dy muaj pas marrjes së lejes, Eva Kjaer shiti 40% të aksioneve tek kompania 4 A-M e Bashkim Ulajt për vetëm 40,000 lekë. Bilancet financiare tregojnë se në vitin 2020, kompania kishte në llogaritë bankare 34.5 milionë lekë, një shumë e konsiderueshme që nuk ishte kontribut i ortakëve dhe nuk identifikohej burimi i saj. Kjo vlerë u paraqit si garanci paraprake për punimet, por më vonë rezultoi të ishte një hua nga kompania 4 A-M.
Ndërkohë, Bashkia Fier dha tokën me qira për vetëm 120 euro në muaj për 30,000 m², një vlerë qesharake krahasuar me potencialin e këtij projekti.
Një detaj tjetër që ngre dyshime mbi këtë skemë është lidhja mes ANTA (Albcontrol) dhe kompanisë 4 A-M, e cila financoi projektin e motrës së drejtorit të Aviacionit Civil.
Në kohën kur kjo 4 A-M tregonte “bujari” ndaj Green Plus Energy, ajo fitoi tre tendera nga ANTA me vlerë 500 mijë euro.
• 2018 – 2.5 milionë lekë për blerjen e pajisjeve teknike
• 2019 – 29.3 milionë lekë për mirëmbajtje dhe blerje pjesësh për administratën
• 2021 – 20.5 milionë lekë për shpenzime mirëmbajtjeje, përsëri pa garë
Të gjitha këto tendera u dhanë gjatë periudhës kur Maksim Et’hemaj mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm Teknik në ANTA.
Kjo përforcon dyshimet se paratë e tenderave të dhëna Bashkim Ulajt janë përdorur si financim për kompaninë e motrës së Et’hemajt, që më pas mori licencën nga ministria e drejtuar nga Belinda Balluku.
Një tjetër shkelje e identifikuar në këtë aferë është kategoria e tokës ku do të ndërtohet impianti fotovoltaik.
Sipas dokumenteve, ajo është regjistruar si “ranishte”, pa përcaktim të saktë të kategorisë, çka nuk e lejon ligjërisht ndërtimin e një parku energjetik.
Kjo praktikë është vënë re edhe në projekte të tjera të Ballukut, ku lejet e ndërtimit për parqe energjetike janë dhënë mbi toka që nuk e lejojnë këtë aktivitet.