Hodhi në treg 18 ton fileto me salmonelë, shpallet në kërkim pronari i DIMAL

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.03.2025, 10:11

Një skandal i rëndë ushqimor ka tronditur vendin, pas zbardhjes së një rasti të importimit të produkteve ushqimore, konkretisht fileto pule, të kontaminuara me bakterin e salmonelës.

Policia ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë private, AMG FOOD dhe DIMAL INC, Arben Goxha, 50 vjeç, dhe ka proceduar penalisht vëllanë e tij, Mondi Goxha, 53 vjeç, së bashku me tre inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), të cilët dyshohet se shpërdoruan detyrën e tyre.

Sipas informacionit të publikuar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, Arben Goxha dhe vëllai i tij, Mondi, kanë importuar dhe futur në treg produkte ushqimore të kontaminuara, të cilat më pas u lejuan të shiten nga inspektorët e AKU-së.

Inspektorët Gezim Hushi, 38 vjeç, Sada Lufta, 42 vjeç dhe Aldo Sinjari, 46 vjeç, dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për të parandaluar daljen e këtyre produkteve të rrezikshme në treg dhe shpërdoruan detyrën e tyre.

Ky skandal ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore në vend dhe për përgjegjësitë që kanë institucionet e kontrollit të cilat, në këtë rast, nuk kanë parandaluar shpërndarjen e një produkti të rrezikshëm për shëndetin publik.

Policia dhe organet e hetimit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe ndëshkimin e të gjithë të përfshirëve.

Njoftimi i policisë:

Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“.

Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit