Gjykata ka urdhëruar kompensim për një 30-vjeçar nga Bangalore në Indi, i cili paditi kinemanë për reklamat e gjata para filmit, duke argumentuar se “në epokën ku jetojmë koha konsiderohet para dhe është shumë e çmuar”.
Maratona e reklamave para filmit ishte aq acaruese për të riun sa e çoi çështjen në gjykatë dhe fitoi.
Abhishek MR ishte me disa shokë në kinema në dhjetor për të parë filmin dramatik me luftë ‘Sam Bahadur’.
Por teksa në biletë koha e shfaqjes ishte parashikuar 4.05 e pasdites, shikuesi duhet të duronte 25 minuta me reklama të filmave në vijim ose komerciale për enë kuzhine, celularë apo makina, para se të niste filmi.
Abhishek duhet të shkonte në punë pas filmit dhe beson se vonesat kishin shkaktuar ‘trazirë në jetën e tij.’
“Ankimuesi nuk arriti të kryente angazhimet e takimet e ditës së tij dhe pësoi humbje që nuk mund të logaritet në formë kompensimi financiar”, tha avokati, duke shtuar se kinematë i japin prioritet të ardhurave nga reklamat e jo klientëve të tyre, të cilët duhet t’i shikojnë ato me detyrim pasi nuk mund t’i shpëtojnë ekranit gjigant.
Gjykata tregtare ‘e konsumatorit’ i dha të drejtë Abhishek dhe urdhëroi kinemanë t’i paguante 50,000 rupi $500) për shpërdorimin e kohës dhe 5,000 rupi për shqetësimin mendor.
“Në epokën ku jetojmë koha është para, dhe 25-30 minuta konsiderohen një kohë e konsiderueshme për të qëndruar kot në një sallë kinemaje duke parë reklama të panevojshme, njerëzit nuk kanë kohë për të humbur”, shtoi avokati.
Përfaqësuesit e kinemasë thanë në favor të tyre se kërkohet ligjërisht shfaqja e “njoftimeve publike”, por në sallë u konfirmua se shumica e reklamave të shfaqura para e gjatë filmit ishin komerciale.
Kinematë konsiderohen nga industria si një media e rëndësishme reklamimi dhe ndryshe nga vendet perëndimore, në Indi reklamat shfaqen si para filmit ashtu dhe në një ndalesë 15-minutëshe në mes, shkruan rrjeti The Guardian.