Një protestues i veshur me një kostum të Pikachu u bashkua me mijëra qytetarë që dolën në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili konsiderohet rivali më i madh politik i Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Aktivisti me tematikë nga Pokémon u pa duke marshuar mes protestuesve dhe më pas duke vrapuar për t’u larguar, kur policia ndërhyri me topa uji për të shpërndarë turmën.
Sipas zyrtarëve, deri më tani janë arrestuar afro 1,900 persona që kanë marrë pjesë në demonstrata.
Arrestimi i Imamoglut javën e kaluar ka shkaktuar një valë të madhe zemërimi në të gjithë vendin. Ai është akuzuar për korrupsion, por mohon akuzat, duke theksuar se ndjekja e tij penale është një manovër politike, pasi ishte shpallur kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 si përfaqësues i Partisë Republikane Popullore (CHP) përballë Erdoganit.
Ndërsa protestuesit besojnë se arrestimi i tij është një akt politik i qëllimshëm për të eliminuar konkurrencën, Erdogan ka reaguar ashpër duke i quajtur demonstruesit “agjentë të së keqes” që po “prishin qetësinë e vendit.”