Më shumë se 1 000 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.7 ballë që goditi ditën e djeshme Mianmarin.
Qeveria e juntës në Mianmar njoftoi një rritje të ndjeshme të numrit të viktimave, duke konfirmuar deri tani 1 002 të vdekur dhe 2 376 të plagosur.
Shumica e viktimave ndodhen në Mandalay, qytetin e dytë më të madh të vendit dhe më afër epiqendrës së tërmetit. Ekipet e shpëtimit në Mandalay raportojnë se njerëzit po kërkojnë me duar në rrënoja për të gjetur të mbijetuarit.
Ndërkohë, qyteti Naypyidaw është goditur rëndë, me 94 të vdekur sipas një deklarate zyrtare.
Në Bangkok të Tajlandës, operacionet e kërkimit po vazhdojnë pasi një ndërtesë e papërfunduar u shemb, duke lënë të zhdukur rreth 100 punëtorë dhe duke shkaktuar vdekjen e 6 personave, sipas zyrtarëve lokalë.
Ekipet e shpëtimit në Bangkok raportojnë se kanë zbuluar të paktën 15 persona të gjallë nën rrënoja, ku të mbijetuarit ndodhen në një thellësi prej 5 deri në 10 metra.
Pritet të përdoren makineri të rënda për të hequr sa më shpejt pjesët e ndërtesës së shembur. BE ka njoftuar se do të japë 2.5 milionë euro ndihmë për Mianmarin. Po ashtu edhe Korea e Jugut do të ofrojë 2 milionë dollarë ndihmë humanitare për Mianmarin përmes organizatave ndërkombëtare si ndihmë fillestare.