Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Devollit, Eduart Duro, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Duro dyshohet se ka licencuar një pikë karburanti të ndërtuar pa leje, duke abuzuar kështu me pushtetin që i jep pozicioni. Ky është vetëm një nga rastet e shumta ku emri i tij është lakuar për afera dhe shpërdorime të dyshimta, sipas denoncimeve të mëparshme të publikuara nga JOQ Albania, që e kanë vënë kryebashkiakun në qendër të kritikave për menaxhimin e fondeve publike dhe keqpërdorimin e detyrës.
Tenderi për shkollën në Bilisht dhe lidhjet me “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”
Më parë, një tender i shpallur nga Duro për rikonstruksionin e shkollës fillore "Myrteza Sala" në Bilisht tërhoqi vëmendje për shkak të mungesës së konkurrencës. Fituese e tenderit prej disa miliona lekësh u shpall kompania “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”, e cila është përfolur për lidhje me figura të pushtetit dhe për pjesëmarrje të dyshimtë në shumë tendera.
Skandalet e tenderave për pastrim dhe favorizimet për kompani të lidhura me ish-deputetin socialist
Një tjetër tender për pastrimin e bashkisë, me një fond prej mbi një miliard lekësh, u fitua gjithashtu nga kompania “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”. Në këtë rast, ofertat e tjera ishin pothuajse identike, duke treguar shenja të një gare të paramenduar për t'i dorëzuar tenderin kësaj kompanie.
Premtimet e pambajtura për infrastrukturën e fshatrave dhe rrugën e fshatit Kurilë
Një denoncim i drejtuar për JOQ Albania nga një banor i fshatit Kurilë i përforcon këto dyshime, duke përshkruar si, prej vitesh, Duro ka premtuar përmirësimin e rrugëve të këtij fshati gjatë periudhave zgjedhore, por asgjë nuk është bërë për të zgjidhur problemin.