Një 29-vjeçar shqiptar i ka shpërtuar dëbimit nga Britania pas një vendimi gjykate, e cila vlerësoi se largimi i tij do të ishte "tepër i ashpër" për djalin e bashkëshortes së tij letoneze, të cilin ai e ka rritur si birin e tij.
Dritan Mazreku mbërriti në Britani në vitin 2014 dhe krijoi një lidhje me një grua nga Letonia, e cila kishte një djalë nga një lidhje e mëparshme. Ai e mori përsipër rolin e babait, ndërsa martesa në vitin 2017 i dha të drejtën të qëndronte ligjërisht në Britani.
Pasi u dënua me burg, ai u përball me një urdhër dëbimi, por një gjykatë vendosi në favor të tij, duke theksuar se djali 15-vjeçar “nuk njeh një tjetër baba” dhe ka përjetuar braktisje më parë. Gjykatësi theksoi se familja është në kushte të vështira ekonomike dhe nuk do të kishte mundësi ta vizitonte rregullisht në Shqipëri.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, argumentoi se ai mund të mbështeste familjen nga distanca, por gjykata e hodhi poshtë këtë pretendim, duke theksuar se komunikimi online nuk zëvendëson praninë fizike të një prindi.
Ky vendim ka ngjallur debate të forta në Britani, ndërsa qeveria britanike apeloi kundër tij, duke pretenduar se arsyetimi i gjykatës "nuk qëndronte". Megjithatë, vendimi u la në fuqi, duke i dhënë të drejtë shqiptarit të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar.