Raportet e fundit të mediave pro-qeveritare dhe institucioneve si INSTAT dhe Banka e Shqipërisë flasin për një numër mbresëlënës turistësh të huaj në Shqipëri gjatë vitit 2024, që tejkalon 11 milionë. Megjithatë, shifrat e larta nuk pasqyrojnë një rritje të ndjeshme në konsumimin e brendshëm, duke krijuar dyshime mbi efektivitetin real të turizmit në zhvillimin e ekonomisë.
Turizmi shembull “suksesi”
Në prag të zgjedhjeve, Kryeministri Edi Rama e ka bërë turizmin një nga temat kryesore të fushatës së tij, duke e përdorur si një shembull të suksesit të qeverisjes së tij. I mbështetur në shifrat e turistëve dhe investimet e pretenduara, ai kërkon të bindë publikun për progresin e Shqipërisë, pavarësisht nga realiteti përplasjeve me çështjet strukturore të sektorit të turizmit.
KLSH zbulon të vërtetën
Përkundër reklamave dhe statistikave pozitive, plazhet shqiptare janë një tjetër realitet. Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) zbulon mangësi të mëdha në plazhet publike, ku mungesa e investimeve dhe standardeve thekson realitetin që shumë turistë dhe qytetarë vendas përballen çdo vit gjatë sezonit turistik.
Ksamil-Himarë
Në Ksamil, një nga destinacionet më të vizituara në Shqipëri, mungon higjiena. Po ashtu, plazhet në Himarë, përfshirë ato në Lukovë nuk kanë roja bregdetare dhe sinjalistikës të nevojshme, duke rritur rrezikun për turistët. Ajo që është më shqetësuese është mungesa e mundësive për ata me aftësi të kufizuara.
Plazhi i Borshit
Plazhi i Borshit është një tjetër shembull i mos investimeve. Ndërkohë që bashkia ka pastruar disa herë plazhin, mungesa e ndriçimit, ujit dhe infrastrukturës thelbësore është evidente. Disa prej këtyre plazheve gjithashtu nuk kanë roje bregdetare apo sinjalistikën e nevojshme.
Vlora dhe Durrësi larg standardeve
Në qytetet bregdetare si Vlora dhe Durrësi, plazhet e Lungomares dhe Pashalimanit janë shumë larg standardeve për plazhe publike. Ato përballen me mungesën e sinjalistikës dhe rojeve bregdetare, duke e bërë plazhin më pak të sigurt për vizitorët. Po ashtu, Durrësi ka plazhe që janë pranë derdhjeve të ujërave të zeza, duke përkeqësuar kushtet për pushuesit.
Lezha dhe Shëngjin pa kapacitete
Në Lezhë dhe Shëngjin, plazhet publike nuk kanë kapacitet për të përballuar fluksin e turistëve, përfshirë ata të huaj dhe vendas. Në këto zona, përveç mungesës së hapësirave për plazhe, edhe kushte si parkimi dhe mundësitë e aksesit janë të kufizuara, duke krijuar një situatë të papërshtatshme për shumë turistë.