Siguria ushqimore mbetet një shqetësim serioz në Shqipëri, pasi konsumatorët shpesh ekspozohen ndaj produkteve me pesticide të ndaluara.
Në nëntor 2024, një ngarkesë mandarinash nga Shqipëria u bllokua në Kroaci dhe u kthye pas, pasi analizat zbuluan praninë e lartë të pesticidit të ndaluar Chlorpyrifos. Ky rast, i raportuar nga organizata RASFF, tregon se autoritetet shqiptare kanë lejuar përdorimin e këtij kimikati edhe katër vite pas ndalimit të tij nga BE në 2020.
Problemi nuk është i izoluar. Edhe më parë, produkte të tjera shqiptare, si kastravecët, janë refuzuar në tregjet evropiane për shkak të niveleve të larta të pesticideve. Organet kompetente kanë mbyllur sytë duke neglizhuar sigurinë ushqimore të qytetarëve për shkak të mungesës së kapaciteve njerëzore dhe paqartësisë ligjore për monitorimin e vazhdueshëm të pesticideve që hidhen në treg.
Ministria e Bujqësisë ka pranuar dështimin në menaxhimin e situatës, duke raportuar praninë e shtatë pesticideve të ndaluara gjatë vitit 2024, përfshirë chlorpyriphos, chlorfenapyr, chlorpyriphos methyl, linuron, dimethoate, myclobutanil dhe omethoate.
Ekspertët paralajmërojnë se numri real i pesticideve të ndaluara që ndodhen në treg mund të jetë edhe më i lartë, duke rrezikuar shëndetin publik dhe besueshmërinë e eksporteve shqiptare.