Një shqiptar zemërmirë që jeton dhe punon në Londër ka dërguar një video në redaksinë e JOQ Albania, ku dëshiron të ngrejë një shqetësim për një bashkatdhetar në nevojë.
Bëhet fjalë për shtetasin Vokërr Dobra, një 57-vjeçar me origjinë nga Burreli, i cili ka vite që fle rrugëve të North London, në zonën Oakwood.
Sipas videos dhe bisedës me të, ai është ndarë nga familja dhe ka përfunduar duke lypur, në një gjendje tepër të rënduar fizike dhe psikologjike. Ai pranon mes lotësh se është i pashpresë dhe se jeta e tij ka degraduar.
Qytetari shqiptar dhe miqtë e tij kanë bërë çfarë kanë mundur për ta ndihmuar, por thekson se kjo nuk mjafton.
Ai bën apel për ndihmë nga të gjithë shqiptarët, organizatat humanitare dhe institucionet për të bërë diçka për 57-vjeçarin, i cili po përballet me kushte të tmerrshme, duke fjetur jashtë edhe në netët kur temperaturat bien nën -3°C.