Cilësia e arsimit në vend vazhdon të jetë temë debati, veçanërisht pas rezultateve të dobëta të nxënësve në testimet ndërkombëtare. Një shqetësim i madh është edhe zhbërja graduale e gjuhës shqipe, e cila po ndikohet nga disa faktorë.
Sipas ekspertëve të komunikimit dhe mësuesve, prindërit që i mësojnë fëmijët gjuhë të huaja në moshë të vogël ndikojnë në aftësinë e tyre për të shkruar dhe lexuar shqip. Kjo ka sjellë probleme të dukshme, ku shkrimi me dorë pothuajse është zhdukur, dhe shumë nxënës e kanë të vështirë të shkruajnë në këtë formë.
Një tjetër faktor që ndikon ndjeshëm është futja e anglishtes në kurrikul që në klasën e parë, e cila sipas ekspertëve, krijon vështirësi në përvetësimin e gjuhës amtare. Ndërkohë, rritja e kontaktit me mediat sociale ka përkeqësuar më tej këtë fenomen.
Gjuhtari Rami Memushaj ngre alarmin për ndryshimin e intonacionit dhe shqiptimit të fjalëve, duke theksuar ndikimin e fortë të anglishtes te fëmijët. "Intonacioni i frazës nuk është më natyral për shqipen, por një përzierje mes shqipes dhe anglishtes", shprehet ai.
Memushaj ngre disa pikëpyetje për të ardhmen e brezit të ri: "Këta fëmijë për kë po i përgatisim? Për në Angli? Për në Amerikë? Apo për Shqipëri? Sepse ka shumë mundësi që 80% e tyre të qëndrojnë, të punojnë dhe të flasin shqip”, përfundon ai.