Pazari i Milotit, i vendosur poshtë urës që lidh qytezën e Milotit me Rrugën e Kombit, është një vend ku çdo të dielë mblidhen qindra banorë nga fshatrat e Veriut për të tregtuar bagëtitë, lopët, derrat dhe shpendët.
Ky treg, i krijuar më shumë se një shekull më parë, ka mbetur një hapësirë e improvizuar, ku shumë qytetarë, përfshirë gra, burra, fëmijë dhe të moshuar, janë të detyruar të shesin produktet që kanë mundur të përgatisin gjatë javës, duke i ekspozuar ato buzë rrugës dhe në kushte të pasigurta.
Gjendja e tregut është alarmante dhe jashtë çdo norme të sigurisë dhe kushteve higjienike.
Për më tepër, mungesa e një infrastrukture të mirëfilltë dhe kushteve të përshtatshme për zhvillimin e tregtisë është bërë një problem për banorët e këtij rajoni.
Ata thonë se për të hyrë në Bashkimin Europian, ashtu siç Rama e premton, minimumi që duhet bërë është sistemimi dhe rregullimi i tregut sipas standardeve europiane.
Sipas tyre pazari i Milotit është një shembull i qartë i nevojës urgjente për investime dhe përmirësime në infrastrukturën e tregjeve të ndryshme në Shqipëri, në mënyrë që të sigurohet siguria dhe mirëqenia e qytetarëve dhe konsumatorëve.