Aksidente të njëpasnjëshme, ndjekje dhe sulm ndaj policisë, kush është 34-vjeçari që terrorizoi Vlorën

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.03.2025, 22:19

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Vlorën mbrëmjen e sotme, kur një 34-vjeçar, në gjendje të dehur, ka shkaktuar disa aksidente të njëpasnjëshme dhe ka sfiduar Policinë me një ndjekje spektakolare që vuri në rrezik jetën e qytetarëve dhe efektivëve të rendit.

Gjithçka nisi rreth orës 19:50, në rrethrrotullimin e Çoles, ku Kelian Llakaj, duke drejtuar një fuoristradë tip “Mercedez-Benz”, përplasi fillimisht një Toyota, e më pas një automjet Ford, në të cilin ndodhej shtetasja Adelina Hysni Kasaj (Kosta), punonjëse e I.E.V.P Vlorë. Ajo u transportua me urgjencë në spital nga kolegët e saj, të cilët ndodheshin pranë vendngjarjes. Fatmirësisht, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas përplasjes, Llakaj u largua me shpejtësi skëterrë, duke bërë manovra të rrezikshme në trafik dhe duke vënë në rrezik jetën e kalimtarëve në vijat e bardha. Dyshohet se fuoristrada që drejtonte ishte nën ndjekje nga Policia, pasi ai nuk ndaloi pas aksidentit të parë.

Në një përpjekje për t’u arratisur, ai u drejtua në zonën e Zvërnecit, ku shërbimet e Komisariatit dhe të Drejtorisë së Policisë i dolën në ndjekje. Pas një ndjekjeje 30-minutëshe, situata u bë edhe më e rrezikshme kur ai përplasi një motomjet të njësisë ‘Shigjetat’ dhe më pas goditi një automjet të forcave ‘Shqiponja’, duke rrezikuar seriozisht jetën e efektivëve të policisë.

Pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar ndalimit, Policia arriti ta lokalizojë dhe ta arrestojë në një zonë të pabanuar për të shmangur rrezikun për qytetarët. Pas ndalimit, Llakaj iu nënshtrua testit të alkoolit, ku rezultoi me një nivel prej 1.25 mg/l në testin e parë dhe 1.29 mg/l në testin e dytë, duke konfirmuar se ai ishte në gjendje të rënduar nga alkooli.

Ndaj 34-vjeçarit rëndojnë disa akuza, përfshirë drejtim automjeti në gjendje të dehur, largim nga vendi i aksidentit, rrezikim të jetës së qytetarëve dhe sulm ndaj forcave të rendit. Policia ka nisur hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të marrë masat e nevojshme ligjore ndaj tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit