Vetëm dy javë na ndajnë nga afati i pagesës së tatimit të dypunësimit, dhe ekonomisti Enea Rekaj ka shpjeguar pasojat që mund të vijnë nga vonesat në pagesë. Sipas tij, në rastet kur tatimi nuk paguhet në kohë, shuma rritet deri në dyfishimin e detyrimit fillestar, duke e bërë pagesën shumë më të lartë.
“Nëse nuk e paguani në kohë tatimin e dypunësimit, ajo rritet deri sa shkon në vlerën totale të detyrimit principal. Pra, detyrimi dyfishohet,” shpjegoi Rekaj.
Përveç vonesave, ekonomisti theksoi rëndësinë e deklarimit të të ardhurave deri në fund të muajit mars, pasi pas kësaj date gjoba për vonesat mund të arrijë në 3000 lekë të reja.
Ndërkohë, Rekaj ka dhënë një informacion të rëndësishëm për vitin 2026. Ai ka theksuar se të gjithë personat që janë të dypunësuar dhe kanë një fëmijë nën 18 vjeç, të regjistruar në certifikatën familjare, do të përfitojnë një rimbursim prej 48,000 lekësh të reja. Ai sugjeroi gjithashtu që shpenzimet për fëmijët gjatë vitit 2025 duhet të mbulohen me faturë tatimore, pasi vetëm shpenzimet e dokumentuara do të njihet si të deduktueshme.
Një tjetër pyetje që ka shqetësuar shumë është në lidhje me deklarimin e remitancave. Rekaj ka sqaruar se remitancat, si dhurime, nuk kërkojnë deklarim (nëse vlera është nën 10 milion lekë të vjetra) por çdo të ardhur që vjen nga puna duhet të deklarohet.