Një çift lezbikesh nga Shkodra kanë fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, pas një vendimi të Gjykatës britanike që thotë se kthimi i tyre në Shqipëri do t’i ekspozonte ndaj diskriminimit, përndjekjes dhe rrezikut për jetën. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja britanike The Telegraph.
Dy gratë pretentojnë se kanë qenë viktima të trafikimit dhe dhunës për shkak të orientimit të tyre seksual. Ato argumentuan se pavarësisht se homoseksualiteti nuk është më i paligjshëm në Shqipëri, shoqëria shqiptare vijon të jetë konservatore, patriarkale dhe e dominuar nga meshkujt.
Sipas dokumenteve të gjykatës, ato kishun deklaruar se ishin rrëmbyer, sulmuar seksualisht dhe abuzuar fizikisht nga disa burra, pasi ishin parë duke u puthur në publik.
Avokatët e tyre theksuan se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes orientimit të tyre seksual dhe faktit që ishin trafikuar, ndërsa shtuan se në Shqipëri viktimat e trafikimit shpeshherë stigmatizohen dhe përballen me vështirësi të mëdha në integrimin social dhe punësimin.
Gjykatësja Rebecca Chapman vendosi në favor të qëndrimit të tyre në MB, duke deklaruar se kthimi i tyre në Shkodër do të përbënte rrezik real për sigurinë e tyre. Sipas saj, edhe një zhvendosje në një tjetër qytet nuk do të siguronte mbrojtje të mjaftueshme, duke qenë se “Shqipëria është një vend i vogël ku rrjetet sociale dhe strukturat shoqërore janë të ndërlidhura ngushtë”.