Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në kryeqytet, ku për pasojë ka humbur jetën një grua 72-vjeçare dhe është plagosur rëndë një tjetër, 66-vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:35, pranë Unazës së Madhe, konkretisht në zonën e mbikalimit të Paskuqanit.
Sipas informacioneve paraprake, dy të moshuarat kanë tentuar të kalojnë trafikndarësen kur janë përplasur nga një automjet që lëvizte me shpejtësi. Përplasja ka qenë fatale për 72-vjeçaren, e cila nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë, e plagosura është transportuar me urgjencë drejt spitalit dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje dhe për vijimin e procedurave ligjore.
Policia vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.
Njoftimi i policisë:
"Rreth orës 09:35, te mbikalimi i Paskuqanit, shtetasi R. Q., 35 vjeç, ka përplasur me automjetin që drejtonte, shtetaset L. S., rreth 72 vjeçe dhe H. M., rreth 66 vjeçe, të cilat dyshohet se po kalonin trafikndarësen. Si pasojë, ka humbur jetën shtetasja L. S. dhe është dëmtuar shtetasja H. M., e cila është në kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat, për kryerjen e veprimeve të metejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit".