Publikimi i listave të kandidatëve për deputet nga partitë kryesore politike në vend solli jo pak surpriza, si në radhët e Partisë Demokratike, ashtu edhe tek Partia Socialiste. Socialistë që tradhtuan PS e ndërruan krah, por edhe demokratë e lsi-sta që u integruan në radhët e PS nuk ishin të pakëta.
Përpos Sala Milas, përfituese e fondeve publike me kompaninë e bashkëshortit, duket se rasti i kandidatëve të tillë në PS nuk është i izoluar.
Një ndër emrat që tërhoqi vëmendje në listën e hapur të PS-së në Tiranë ishte Blendi Sulaj, një figurë e njohur më parë në radhët e djathta të politikës shqiptare.
Sulaj ka qenë fillimisht pjesë e Partisë Republikane të Fatmir Mediut, për t’u angazhuar më pas si kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës.
Në zgjedhjet e 2025-ës, ai ka zgjedhur të garojë nën siglën e PS-së, një lëvizje që ka ngritur pikëpyetje mbi motivet që qëndrojnë pas këtij ndryshimi të papritur politik.
Sulaj ka fituar me kompaninë e tij “ASINVESTMENT” disa tendera me vlera të larta nga institucionet shtetërore.
Konkretisht fituese e një kontrate me vlerë rreth 75 milionë lekë pa TVSH, të dhënë nga Bashkia e Tiranës. Tenderi është kategorizuar si me “flamur të kuq”, për shkak se është është skualifikuar oferta më e ulët që të shpallej fitues Sulaj.