Një nga thesaret më të lakmuara në bregdetin shqiptar, Vilat Qeveritare në Ujin e Ftohtë të Vlorës, janë vënë në shënjestër nga disa prej figurave më të fuqishme të politikës dhe biznesit në vend.
Pas një vendimi të beftë të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), u hap rruga për dhënien me koncesion të kompleksit qeveritar. Tashmë ka nisir një garë e heshtur ku lufta reale duket se bëhet për influencat dhe lidhjet politike.
Zyrtarisht, bëhet fjalë për një projekt për “rikonceptimin e rezidencave qeveritare në struktura akomodimi elitar”. “Garuesit” janë kompani satelitë të figurave që kanë diktuar zhvillimet ekonomike dhe politike të dekadës së fundit.
GLLABËRUESIT PRETENDENTË
Ardian Kollozi, ish-deputet i PD-së dhe ish-drejtor i ALUIZNI në Vlorë, me firmën “Blu Horizont 2005” të zotëruar nga djali i tij, Endi Kollozi. Ish-kreu i PD-së lokale, i njohur për marrëveshje të heshtura me qeverinë për leje ndërtimi në Lungomare, tashmë kërkon një pjesë të tortës në Ujin e Ftohtë.
Alban Xhillari, i lidhur me firmën “Soleil and Sea”, përmes të cilës operon në Jalë dhe ka përfituar statusin e investitorit strategjik. I favorizuar nga qeveria, për të janë ndërtuar rrugë, sjellë ujë i pijshëm dhe kanalizime me fonde publike. Një tjetër rast i “kapitalizmit të lidhur” ku infrastruktura shtetërore vjen pas interesit privat.
Behgjet Pacolli, përmes një bashkimi kompanish të udhëhequr nga “2A Group” e Valon Ademit, mik i afërt i tij dhe bashkëpunëtor në projekte të mëdha si Aeroporti i Vlorës. Një emër i njohur për ndikimin e tij në politikën rajonale.
Vëllezërit Dulaku, të njohur për aktivitetin në media, turizëm dhe ndërtim, përfaqësohen përmes firmës “Edil-Al-IT” në bashkim me kompaninë “Zdrava”. Janë të pranishëm në çdo vijë bregdetare strategjike nga Gjiri i Lalzit në Sarandë.
E vetmja kompani e përjashtuar nga gara është ajo e Luan Bregasit. Qartazi kuptohet se në këtë “përleshje” mbijetojnë më të fortit.
DHURATË PLAZHIN
Fituesi, përpos godinave që përfshijnë tre vila me një sipërfaqe ndërtimi mbi 1,600 m², do të përfitojë edhe plazhin përballë, një nga më të kërkuarit në Vlorë. KISH e ka lënë të hapur këtë mundësi, duke e lidhur me “legjislacionin turistik në fuqi” dhe duke shtyrë vendimin final pas përzgjedhjes së fituesit.
Kjo e bën projektin edhe më tërheqës për investitorët me lidhje politike, të cilët jo vetëm përfitojnë nga ndërtimi i hoteleve 5-yje në vila historike shtetërore, por marrin dhe një copë të bregdetit shqiptar për përdorim privat.
KAMUFLIMI I SHTETIT, COPËTIM I SHQIPËRISË PËR OLIGARKËT
Në dokumentet zyrtare, Korporata justifikon projektin me idenë e “nënshfrytëzimit” të rezidencave qeveritare. Por në realitet, kjo është një tjetër skemë e legalizuar për kalimin e pasurive shtetërore në duar të pakta dhe të fuqishme. Me justifikimin e “zhvillimit ekonomik” dhe “menaxhimit të standardeve të mikpritjes”, po tjetësohet një pasuri historike dhe natyrore me vlerë të pazëvendësueshme.
A po përdoren këto marrëveshje si “qoka” në prag zgjedhjesh?
Koha do ta tregojë nëse ky tender do të jetë një tjetër skandal i radhës apo shembulli më i fundit i një Shqipërie ku pushteti dhe pasuria ecin paralelisht.