Një 55-vjeçar u arrestua në Fier pas një denoncimi nga ish-nusja e djalit, e cila e akuzon atë për ngacmim seksual ndaj mbesës 5-vjeçare. Ngjarja është bërë e ditur nga policia, ndërsa nëna e vajzës, e ndarë nga bashkëshorti, ka dorëzuar kallëzimin.
Nga ana tjetër, babai i të miturës mohon kategorikisht akuzat ndaj të atit, duke deklaruar në media se gjithçka është një sajesë e ish-bashkëjetueses, e cila sipas tij kishte braktisur vajzën kur ajo ishte vetëm 6 muajshe, dhe tani po kërkon kujdestarinë e saj.
“Për mos ta çuar në jetimore, e kam marrë nën kujdestarinë time. Në kushte të vështira ekonomike. U kam thënë prindërve, që vajza vërtetë është e imja, por sot e tutje ajo është e juaja. Kontributi im do jetë në vlerë monetare, se detyrohem që të largohet që të punoj. Afrimitetin që ajo ka me atë, nuk ka shans që ta ketë as me mua dhe as me njeri tjetër.” – thotë babai.
Sipas babait të vajzës, nëna e ka takuar të voglën dy ditë më parë në një hotel në Fier ku qëndroi dhe aty pretendohet se 5-vjecarja t’i ketë rrëfyer që gjyshi e ngacmon.
“Nuk e di nëse quhet ngacmim ta fërkosh vajzën nga kurrizi dhe ta ngresh në krahë e ta puthësh. Apo edhe mua do më quajnë ta ngacmoj vajzën time që e ngre në krahë, e puth e kafshoj nga barku apo kurrizi. Kam dy net që po e gënjej që do vijë gjyshi, se vajza ngrihet natën nga gjumi, qan. Se lidhjen që kanë atë me të dy është zor që ta gjesh.” – thotë babai.
Të shokuar nga kjo ngjarje janë të gjithë bashkëfshatarët të cilët thonë se nuk e njohin për njeri të tillë, 55-vjeçarin.
“Unë e njoh që në fëmijëri, vijnë këtu tek mua pothuajse dy herë në javë, tre herë në javë. I blen çdo gjë mbesës, që të mos shikojë nga të tjerët. Vetëm atë ves nuk e ka ai.” – thotë një bashkëfshatar, raporton Report tv.
55-vjeçari ndodhet në komisariatin e policisë në Fier në pritje të seancës gjyqësore.