Statistikat thonë se kostoja e ushqimit të një familjeje në Suedi është rritur me 30,000 krona ($2500) prej janarit 2022, ndërsa prej fillimit të vitit të shkuar çmimet pësuan një rritje prej 25 %.
Javës që shkoi, pas rritjes më të madhe të çmimeve të ushqimeve në dy vitet e fundit, mijëra njerëz në Suedi vendosën të bojkotojnë për shtatë ditë supermarketet e mëdha që kontrollojnë çmimet ushqimeve.
Me ndihmën e postimeve në rrjetet TikTok e Instagram, fushata është kthyer tashmë në një debat kombëtar dhe pikë përplasjesh politike.
Protestuesit fajësojnë me të drejtë “oligarkinë” e supermarketeve që vendosin fitimet e tyre para klientëve prej mungesës së konkurrencës, ndërsa bizneset i vënë fajin faktorëve të tjerë si “gjeopolitika, lufta, të vjelat apo ndryshimet klimatike”.
Edhe në Bullgari muajin që shkoi blerësit bojkotuan kompanitë e mëdha në protestë ndaj rritjes artificiale të çmimeve, çka shkaktoi një rënie të xhiros totale prej 30%. Në janar bojkote të tilla u shpërndanë në Kroaci, Bosnia e Herzegovina, masi i Zi, Maqedoni e Serbi.
Iniciativa suedeze, “Bojkotta vecka 12” (Bojkot i Javës së 12), i kërkonte klientëve të ndalonin blerjet në supermarketet Lidl, Hemköp, Ica, Coop e Willys në protestë ndaj rritjes së çmimeve.
“Nuk kemi asgjë për të humbur dhe gjithçka për të fituar,” thuhej në një nga postimet pro-bojkotit në rrjetet sociale. “Çmimet e ushqimeve nuk kapen dot më sepse korporatat duan të fitojnë miliarda në kurriz të të varfërve”, thuhej në një tjetër thirrje.
Muajin që shkoi në Suedi çmimet yndyrnave shtazore të gatimit u rritën me 7.2%, djathi 6.4%, qumështi 5.4% e çokollatat 9.2%, të sipas rrjetit vendas të statistikave Matpriskollen.
Kritikët thonë se rritja e vazhdueshme e pashpjeguar e çmimeve të ushqimit dhe kostove të jetesës, mban popullatën vendase të varfër e të dobët, dhe vjen në një kohë kur mijëra refugjatëve që hyjnë ilegalisht në vend u jepen menjëherë strehim, ushqim dhe të gjitha komoditetet, duke provokuar suedezët.
Jo të gjithë ishin të bindur për efektivetin e bojkotit teksa 34 vjeçarja Sandra Gustavsson tha se çmimet e ushqimeve janë rritur, por njerëzit duhet të heqin dorë nga korporatat e supermarketeve dhe të blejnë nga fermerët e prodhuesit vendas pa nevojën e kompanive ndërmjetëse.
“Që prej Covid-it çmimet çuditërisht vetëm rriten e rriten,” tha Gustavsson, e cila jeton në Gothenburg. “Bojkoti një-javor është i mirë vetëm për ndërgjegjësimin qytetar mbi çështjen, por nuk ka efekte të tjera, korporatat nuk kanë konkurrencë”.
Ndërsa ministri i çështjeve rurale Peter Kullgren, tha se çmimet janë rritur nga “faktorë ndërkombëtarë dhe të vjelat e pakta, por pranonte se konkurrenca duhet të rritet.