Fusha e mbetjeve në qytetin e Vlorës është përfshirë sërish nga flakët, duke rrezikuar përhapjen e zjarrit dhe ndotjen e ajrit me tym toksik.
Zjarri ka shpërthyer mbrëmjen e 23 marsit dhe ende vijon, duke u përhapur më shpejt për shkak të erës. Flakët kanë arritur të rrezikojnë 5 banesa që ndodhen afër fushës së mbetjeve.
Ky nuk është rasti i parë që fusha e mbetjeve të Vlorës përfshihet nga zjarri, pasi dhe në dhjetorin e vitit të kaluar është regjistruar një ngjarje e ngjashme. Specialistët theksojnë se një zgjidhje afatgjatë për këtë problem do të ishte largimi i mbetjeve në landfillin e Sherishtës.
Megjithatë, ky landfill ende nuk është i operueshëm, edhe pse muaj më parë autoritetet deklaruan se ka kaluar në pronësi të bashkisë dhe është shkëputur kontrata me subjektin privat. Situata e menaxhimit të mbetjeve në qytet mbetet problematike, pasi fusha e grumbullimit të mbetjeve nuk përmbush asnjë standard.
Ka dyshime se kryebashkiaku Ermal Dredha për të shpëtuar nga mbetjet dhe trajtimi i tyre ashtu siç duhet, jep urdhër për t’i djegur duke shkatërruar dhe ndotur natyrën e rrezikuar jetën e qytetarëve.
Ky fenomen ka shkaktuar shqetësime të vazhdueshme për qytetarët dhe vizitorët, ndërsa kërkohet një ndërhyrje urgjente për të parandaluar shpërthime të tilla zjarresh dhe për të përmirësuar kushtet e menaxhimit të mbetjeve.