Pamje tronditëse erdhën sot në redaksi nga fshati Akërni pranë aeroportit të ri të Vlorës, ku kantieri ka marrë dimensionet e një guroreje që bluan gurë dhe lëshon një re gjigante pluhuri helmues mbi zonën.
Pa asnjë konsideratë për jetën e shëndetin e banorëve apo të vetë punonjësve, makineritë e rënda shihet që mbushin të gjithë zonën me tym gëlqereje, guri dhe zhurmë.
Fshati me rreth 300 banorë është nga më të braktisurit pas viteve '90, si nga shteti ashtu edhe nga banorët, teksa shpopullimin e tij po e ndihmon tashmë kantieri monstruoz i ndërtimit të aeroportit të biznesmenit Behgjet Pacolli, që po i mbulon njerëzit me tym guri.
Nuk dihet si i marrin përgjegjësinë zyrtarët lokalë e qeveritarë për aktivitete të tilla jashtë çdo standardi, por është e domosdoshme të merren masa për të siguruar që banorët e zonës të mos asfiksohen nga ndotja që vjen e kantierit.
Shtëpitë janë vetëm 500 metra larg kantierit të aeroportit dhe shqetësim për ta është gjithashtu rruga e mjeteve të rënda që shton shtëllungat e pluhurit, por zërit të ankesave të tyre për fat të keq nuk i përgjigjet askush.
Denoncimi:
“Punimet në aeroportin e Vlorës po mbysin me pluhurin e bluarjes të gurit banorët e fshatit Akërni, nuk marrin asnjë mas për ktë gjë, ne nuk guxojm të hapim dritaret se jasht ësht sikur të ishim në kaminën e gëlqeres, ju lutem postojeni.
“Po bëhet e pa durueshme kjo gjë çdo dit po të vini ta shikoni ata punojn 24 -7 në ktë gjendje, bluajn gurin për të bër asfaltimin e aeroportit”.