Një tjetër rast skandaloz që lidhet me sigurinë ushqimore ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Një qytetare ka denoncuar rrjetin e supermarketeve Big Market, pasi salca e kosit që kishte blerë rezultoi e mykur. Për të dëshmuar këtë, ajo ka dërguar edhe foto të produktit, si dhe faturën që vërteton blerjen e tij.
Konsumatorja e shqetësuar ka dërguar edhe foto të kosit të mykur si dhe faturën përkatëse që vërteton blerjen e datës së djeshme.
E zhgënjyer dhe e revoltuar nga ajo që ka gjetur sapo ka hapur paketimin, qytetarja nuk ka ngurruar të shprehë indinjatën e saj me një dozë ironie: "Ne jemi çfarë hamë, të na rrojnë Big Marketet! Me sa duket, sa më shumë produkte të skaduara, aq më 'i shëndetshëm' bëhet populli ynë!"
Ky nuk është një rast i izoluar. Redaksia jonë ka regjistruar edhe më parë denoncime të ngjashme që lidhen me cilësinë e dyshimtë të produkteve të tregtuara në "Big Market Prime", një rrjet supermarketesh nën pronësinë e deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sina. Këto incidente të përsëritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi standardet e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore në këtë rrjet.
Këto incidente të përsëritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi standardet e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore në këtë rrjet.
Në këtë kontekst, slogani i tyre "Big Market, di çfarë zgjedh" merr një kuptim krejt tjetër, duke u shndërruar në "Big Market, s'di çfarë zgjedh", pasi duket se konsumatorët nuk mund të mbështeten as në garancinë minimale për freskinë dhe sigurinë e produkteve që blejnë me besim.
Mbetet për t'u parë nëse institucionet përgjegjëse do të ndërhyjnë për të verifikuar këto denoncime të përsëritura dhe për të marrë masat e nevojshme ndaj "Big Market". Ndërkohë, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të mbeten në mëshirë të fatit, duke "zgjedhur" mykun nga ushqimet e tyre, në mungesë të një kontrolli efektiv dhe përgjegjësie nga ata që duhet të garantojnë sigurinë e produkteve ushqimore.