Një skandal i rëndë ka tronditur sigurinë ushqimore në Shqipëri, ku shqiptarët kanë konsumuar 10 ton mandarina të mbushura me pesticide, të cilat ishin kthyer nga Kroacia dy muaj më parë. Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar një skemë të mirorganizuar mashtrimi ku fermerë, grumbullues dhe zyrtarë të korruptuar kanë bashkëpunuar për të futur në treg mandarina që duhej të ishin asgjësuar. Ky skandal tregon edhe një herë mungesën e kontrolleve të rrepta dhe papërgjegjshmërinë e institucioneve për sigurinë e konsumatorëve.
Sipas hetimeve, Elton Tafa, fermer nga Goriçani i Beratit, kishte kultivuar mandarina me pesticide mbi normën e lejuar. Kur ngarkesa u kthye nga Kroacia për shkak të nivelit të lartë të substancës helmuese "Fosmet", ai, në vend që të asgjësonte mallin, e futi atë sërish në tregun vendas. Në këtë skemë ai bashkëpunoi me grumbulluesin Arben Dyli dhe inspektorin e AKU, Elson Tahiraj. Të tre këta persona janë arrestuar dhe po përballen me akuza të rënda për krime që rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Prokuroria ka ngritur akuza për “Shkeljen e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimin dhe shitjen e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimin me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimin e detyrës”. Një nga pikat kyçe të këtij skandali është fakti se inspektori Elson Tahiraj ka lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për Arben Dylin, duke i dhënë mundësinë që mandarinat e helmuara të shpërndaheshin në tregun shqiptar.
Por skandali thellohet më tej! Në dhjetor të vitit 2024, pas alarmit të ngritur nga Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) për praninë e pesticideve në mandarina, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaroi se kishte asgjësuar 10 ton mandarina dhe kishte gjobitur subjektin tregtar të Arben Dylit me 4 milionë lekë. Megjithatë, sot Prokuroria provoi se kjo ishte një gënjeshtër! Mandarinat nuk ishin asgjësuar, por ishin futur në treg dhe ishin konsumuar nga qytetarët shqiptarë.
Përgjegjësia kryesore për këtë mashtrim kriminal bie mbi Fatlli Adilajn, drejtorin e AKU Berat. Nën drejtimin e tij, ky institucion jo vetëm që nuk e ndaloi këtë aktivitet të rrezikshëm, por gënjeu publikun duke pretenduar se mandarinat ishin asgjësuar. Në fakt, ai lejoi që 10 ton mandarina të kontaminuara të përfundonin në tryezat e qytetarëve, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre.
Ky skandal i rëndë kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse dhe ndëshkim maksimal për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë krim kundër shëndetit publik. Shqiptarët meritojnë siguri ushqimore dhe transparencë nga institucionet që supozohet t’i mbrojnë ata, dhe jo të bien pre e skemave të mashtrimit dhe korrupsionit.