Në vitin 2025 qeveria jonë do të angazhojë tri koncesione të reja PPP në Korridorin Adriatiko-Jonian, të cilat do të ndërtohen nga privati kundrejt pagesës direkte në toll.
Teksa me 2025 numri i rrugëve për të cilat do të paguhet tarifë përdorimi do të arrijë në tre (Milot-Rrëshen, Thumanë-Kashar, Tuneli i Vlorës), pas pak vitesh do të jenë të paktën 6 të tilla. Të dhënat krahasuese tregojnë se Shqipëria ka tarifat më të larta të pagesës në rrugë, gjithashtu edhe çmimet më të larta të karburanteve në rang global.
Çmimi mesatar i naftës në të gjithë botën është 1,18 dollarë amerikanë për litër, ndërsa në Shqipëri 1,89 dollarë amerikanë. Të dhënat e datës 28 tetor 2024 tregojnë se çmimi i naftës në Shqipëri është 60 për qind më shumë se mesatarja globale. Të dhënat tregojnë se Shqipëria renditet e treta në botë për çmimet e larta të naftës.
Vitin e kaluar buxheti i shtetit arkëtoi 19,5 miliardë lekë ose më shumë se 190 milionë euro nga taksat e qarkullimit mbi naftën. Kjo taksë që ka qëllim që të grumbullojë të ardhura që të mund të përballojnë mirëmbajtjen e rrugëve siguron arkëtim disa herë më shumë se nevojat.
Shoqëria shqiptare nëpërmjet pagesave direkte dhe rishpërndarjes së buxhetit po paguan kosto të larta për rrugët. Vitin që vjen programi i “Transportit rrugor” financohet me 33 miliardë lekë, të cilat merren nga taksat e përgjithshme për te financuar infrastrukturën rrugore.
Të gjitha këto pagesa të shtuara dhe shumë më të larta krahasuar me vendet e tjera po rrisin kostot e transportit të cilat janë jetike për zhvillimin e një shoqërie.
Shqipëria renditet në krye të listës për çmimet e larta të naftës, por nga ana tjetër ka te ardhura për frymë sipas fuqisë blerëse vetëm sa 34 % e mesatares së BE-së.