Bilanci i tragjedisë në qytetin Koçan, në lindje të Maqedonisë së Veriut vijon të rëndohet pasi të paktën 59 persona kanë vdekur dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi zjarri gjatë një koncerti në një klub nate.
Rreth 1.500 pjesëmarrës ishin në klubin e natës kur shpërthimi i zjarrit ka shkaktuar kaos, duke përhapur tym të dendur dhe duke shkaktuar helmim nga monoksidi i karbonit.
Autoritetet maqedonase dyshojnë se zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike, të cilat janë përdorur gjatë koncertit të bendit ADN për efekt ndriçimi.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha, pasi tavanet e klubit ishin të ndërtuara me materiale të ndezshme, duke përshpejtuar përhapjen e flakëve. Zjarrfikësit dhe autoritetet e tjera janë angazhuar menjëherë për të shpëtuar të plagosurit, ndërsa helikopterët kanë transportuar ata që kishin lëndime më të rënda drejt spitaleve në Shkup.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, shprehu ngushëllime për humbjen e jetëve, duke theksuar se Qeveria është e angazhuar të zbardhë shkaqet e kësaj tragjedie. Po ashtu, Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, njoftoi se janë lëshuar disa urdhër-arreste, duke përfshirë ndalimin e pronarit të klubit.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore janë mobilizuar për t'u kujdesur për të plagosurit, duke transferuar ata në spitale të tjera për trajtim të specializuar. Spitalet në Koçan dhe Shtip kanë pritur shumë viktima dhe të plagosur, duke përfshirë të rinj nga qytete të ndryshme të Maqedonisë. Kryqi i Kuq po ashtu ka ofruar ndihmë për të lehtësuar pasojat e kësaj tragjedie.
Sipas Drejtoreshës së Spitalit të Koçanit, ky u dogj edhe diskoteka, disa prej viktimave janë të moshës së re, nga 14 deri në 24 vjeç.
Ky incident ka nxjerrë në pah nevojën për rritjen e masave të sigurisë në ngjarje publike dhe për mbikëqyrjen më të fortë të përdorimit të mjeteve piroteknike.