Inteligjenca artificiale gjeneruese, e cila gjen përdorim gjithnjë e më të gjerë në prodhimin e tekstit dhe të imazheve, pritet të ndikojë gjithashtu në rritjen e mbetjeve elektronike. Një studim i fundit i publikuar në revistën Nature Computational Science thekson se popullariteti në rritje i këtyre teknologjive do të përkthehet në një barrë mjedisore të rëndë, nëse nuk merren masa të efektshme.
Parashikimet e studimit: 2.5 milionë tonë mbetje elektronike në vit deri në 2030
Studiuesit kanë analizuar katër skenarë të ndryshëm për rritjen e Inteligjencës Artificiale gjeneruese. Nga një skenar agresiv me përdorim të gjerë të kësaj teknologjie, deri në një skenar më konservator, rezultatet tregojnë një rrezik të konsiderueshëm për mjedisin. Në skenarin më të zgjatur të zhvillimit të inteligjencës artificiale, mbetjet elektronike pritet të arrijnë në 2.5 milionë tonë në vit deri në vitin 2030. Gjatë periudhës 2023-2030, kjo sasi mund të arrijë deri në pesë milionë tonë, përfshirë gjysmë milioni ton pllaka qarku të printuara dhe gjysmë milioni ton bateri, që përmbajnë materiale të rrezikshme si plumbi dhe kromi.
Sugjerime: Ripërdorimi dhe zgjatja e jetëgjatësisë së pajisjeve
Sipas ekspertëve, zbatimi i strategjive për ripërdorimin e materialeve dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së pajisjeve mund të jetë një zgjidhje e qëndrueshme për frenimin e kësaj krize. Këto masa mund të reduktojnë deri në 86% të mbetjeve të krijuara, duke minimizuar ndikimin e tyre negativ në mjedis.
Studimi thekson se për të shmangur një barrë të konsiderueshme ekologjike, duhen ndërmarrë masa për ripërdorimin e materialeve dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës ekzistuese, në mënyrë që zhvillimi i teknologjisë të mos vijë në dëm të qëndrueshmërisë mjedisore.