Baltë e mbeturina para shkollës në Tapizë, tualete pa ujë brenda: Fëmijët po përballen me kushte skandaloze!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.04.2025, 20:41

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një banor i fshatit Tapizë në Krujë, i cili tregon për një situatë skandaloze para shkollës “Hajdar Zogu”. Denoncuesi shprehet se rruga që përshkojnë çdo ditë fëmijët për të shkuar në shkollë është e mbuluar me baltë dhe mbeturina, duke e bërë të vështirë dhe të rrezikshme ecjen, sidomos në ditët me shi.

“Në këtë gjendje kalojnë çdo ditë të gjithë fëmijët, nga kopshti deri në klasën e 9. Mbeturinat pastrohen vetëm një herë në javë dhe më pas digjen nga banorët përballë shkollës. Rruga është katastrofë – 100 metra baltë për fëmijët që shkojnë në shkollë. Mbeturinat pastrohen vetëm një herë në javë dhe digjen nga banorët para shkollës. Pak metra rrugë që janë para shkollës e lënë me mbeturina dhe pa shtruar. Fëmijët lagen në këmbë. As ne nuk na japin të drejtë sikur të hidhnim 2 makina çakull, sepse e duan ta përdorin për çështje fushate Ju lutem publikojeni që të merren masa,” shkruan ai.

Në fotot që ka dërguar qytetari, duket qartë se rruga është e paasfaltuar dhe plot me baltë, ndërsa mbeturinat janë hedhur shumë afër godinës së shkollës.

Sikur të mos mjaftonte kjo, kushtet e mjerueshme të tualeteve dhe problemet me çatën e re të shkollës ngrenë shqetësime serioze për sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.

“Klasat e para kanë vështirësi në tualetet që janë skandal, pa ujë. Banja për djemtë nuk funksionon fare, janë prishur. Sistemi kapot i shkollës, që nuk ka as 5 vjet që ka përfunduar, ka filluar të bjerë,” shprehet më tej prindi denoncues.

Situata është e papranueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për një ambient shkollor ku fëmijët duhet të ndihen të sigurt. I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa urgjente për të sistemuar këtë rrugë dhe për të garantuar kushte dinjitoze për nxënësit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit