Rreth 300 mësues pjesëmarrës në procesin e kualifikimit 2025, përfshirë mësues të arsimit parashkollor, fillor dhe të lëndëve të ndryshme si gjuhë frënge, italisht, turqisht, gjermanisht, greqisht, sociologji, qytetari, filozofi, kanë denoncuar problemet e testimit të informatizuar pranë QSHA-së.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Shqipërisë (SBASH) ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Arsimit, duke e konsideruar testin të padrejtë për shkak të pyetjeve të vështira, kohës së papërshtatshme dhe pragut të lartë të kalueshmërisë.
Problemet kryesore të testimit, sipas SBASH:
• Pyetjet e hartuara në mënyrë të gabuar, duke kërkuar më shumë të mësuar përmendësh sesa mendim kritik, në kundërshtim me synimet e testimit ndërkombëtar si PISA.
• Koha e pamjaftueshme për të analizuar dhe zgjidhur pyetje të gjata dhe të ndërlikuara, disa prej të cilave kërkonin mjete ndihmëse.
• Niveli i lartë i pragut të kalimit (60%), i cili është konsideruar si i padrejtë, duke pasur parasysh se në vitet e mëparshme ka qenë mbi 40%.
• Pyetje jashtë programit orientues, të formuluara keq dhe me alternativa të ngjashme, që krijojnë konfuzion.
• Mungesa e një standardi të unifikuar për të gjithë mësuesit, duke shkaktuar pabarazi në vlerësim.
“A jemi ne dështakë? Ne që kemi marrë licencën me nota të mira, kemi kaluar me sukses konkurset, tani konsiderohemi të paaftë? Si mund t'u shpjegojmë nxënësve tanë që edhe ne kemi ngelur?” – shprehen mësuesit në letrën e tyre drejtuar ministres.
Kërkesat e SBASH për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit:
1 Rishikim të menjëhershëm të procesit të testimit dhe vendosje e një standardi të barabartë për të gjithë mësuesit.
2 Përfshirje të sindikatës në hartimin e politikave arsimore, për të siguruar një proces të drejtë dhe të përshtatshëm për kualifikimin e mësuesve.
3 Ndryshim të metodës së vlerësimit, duke u fokusuar më shumë në aftësitë praktike të mësuesve, si menaxhimi i klasës, metodologjia e mësimdhënies dhe njohja e rregulloreve shkollore, në vend të pyetjeve me alternativa që nuk reflektojnë realitetin e punës së tyre.
4 Respektim dhe trajtim i denjë për mësuesit, si në mënyrën e testimit ashtu edhe në komunikimin gjatë procesit të provimeve.
Mësuesit në Shqipëri shprehin shqetësimin se testimi aktual nuk reflekton realitetin arsimor dhe demoralizon ata që e mbajnë peshën e edukimit të brezave të rinj. Ata kërkojnë mbështetje nga shteti përmes trajnimeve cilësore, jo testimesh që mund të zëvendësohen lehtësisht nga Inteligjenca Artificiale ose Google.
SBASH i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të rishikuar këtë proces, duke ruajtur dinjitetin e mësuesve dhe përmirësuar cilësinë e arsimit në vend.