Mafia e ndërtimit në Mykonos dhe vrasja e shqiptarit Alfons Doçi në burgun e Koridhalos

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 30.03.2025, 16:49

Një investigim i publikuar nga media greke Datajournalist ka zbuluar detaje të reja lidhur me mafian e ndërtimit në ishullin grek Mykonos dhe lidhjen e saj të mundshme me vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar, Alfons Doçi, brenda burgut të Koridhalos. Doçi u vra më 26 qershor 2024 nga një bashkëkombës i tij gjatë një përleshjeje mes të burgosurve.

Sipas raportimeve, Doçi kishte dorëzuar një audio-dokument në policinë greke rreth dy vite më parë, por autoritetet nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim hetimor mbi të. Dokumenti në fjalë përmbante një bisedë pesë-orëshe mes Doçit dhe një kryekontraktori nga Mykonos, të cilin ai e kishte denoncuar si porositës të vrasjes së një agjenti të njohur të pasurive të paluajtshme në ishull. Biseda ishte regjistruar fshehurazi nga Doçi dhe dyshohet se përmbante informacione të rëndësishme mbi veprimtarinë e grupeve kriminale të lidhura me industrinë e ndërtimit në Mykonos.

Dokumenti audio i regjistruar nga Doçi dhe i dorëzuar në qershor 2023, pas arrestimit të tij në Athinë, u përcoll për përpunim dhe transkriptim tek Drejtoria e Hetimeve Kriminale të Policisë Helenike. Megjithatë, deri më sot, nuk dihet fati i këtij materiali, dhe nuk është përcjellë te Departamenti i Krimeve Kundër Jetës, i cili po hetonte vrasjen e Doçit dhe vrasjen e inxhinierit topograf Panagiotis Stathis, një tjetër viktimë e mundshme e mafies së ndërtimit në Mykonos.

Në fund të qershorit 2024, Alfons Doçi u vra brenda burgut të Koridhalos. Ai ishte i njohur për autoritetet, me një të kaluar kriminale të rëndë. Në mars 2015, kishte vrarë një 53-vjeçar gjatë një grabitjeje në Elefsinë dhe ishte përfshirë në disa vepra të tjera kriminale, përfshirë grabitje të dhunshme dhe arratisje nga burgu.

Hetimet për vrasjen e tij tregojnë se një konflikt i vogël mes tij dhe një tjetër të burgosuri çoi në një përleshje të dhunshme. Një video e publikuar nga media greke tregon momentin kur dy të burgosur iu afruan Doçit dhe filluan ta sulmojnë fizikisht. Njëri prej tyre e goditi disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen.

Vrasja ndodhi vetëm një javë para vrasjes së inxhinierit Panagiotis Stathis në Athinë, një figurë e lidhur me industrinë e ndërtimit në Mykonos. Kjo ngjarje nxori sërish në pah aktivitetet e paligjshme të mafies së ndërtimit, një rrjet i dyshuar kriminal që operon në ishullin e njohur turistik.

Para vdekjes së tij, Doçi jetonte dhe punonte në Mykonos si ndërtues dhe kishte lidhje të ngushta me një prej kontraktorëve më të fuqishëm të ishullit. Sipas burimeve, ky kontraktor ishte përfshirë në një rast vrasjeje të pazbardhur dhe, më pas, ishte shpallur i pafajshëm.

Në nëntor 2022, marrëdhënia mes tyre u prish dhe Doçi, bashkë me dy bashkëkombës të tij, e sulmuan fizikisht kontraktorin në zyrën e tij. Gjatë grabitjes, ata arritën të merrnin 30 mijë euro, por njëri prej tyre la pas armën e tij, duke lejuar kontraktorin të kundërpërgjigjej. Ngjarja çoi në arrestimin e Doçit dhe bashkëpunëtorëve të tij në qershor 2023.

Përveç denoncimeve për mafian e ndërtimit, Doçi kishte dorëzuar prova mbi ekzistencën e një kontrate vdekjeje ndaj një agjenti të pasurive të paluajtshme në Mykonos. Ky i fundit ishte sulmuar jashtë shtëpisë së tij në vitin 2020 nga një burrë i armatosur me shufër hekuri, duke pësuar dëmtime të rënda. Sipas Doçit, sulmi ishte urdhëruar nga i njëjti kontraktor me të cilin ai kishte bashkëpunuar më parë.

Gjatë gjyqit në mars 2024 në Syros, Doçi përmendi ekzistencën e një regjistrimi të dytë audio, këtë herë të realizuar nga vetë ndërmjetësi i sulmuar. Ky regjistrim mund të përmbante të dhëna të tjera mbi aktivitetet e grupeve kriminale që operojnë në Mykonos.

Dy persona janë vënë nën akuzë për vrasjen e Doçit, njëri për vrasje dhe tjetri për bashkëpunim të thjeshtë. Njëri prej tyre ishte një shqiptar që ishte arratisur nga burgu me Doçin në vitin 2018. Sipas hetimeve, të burgosurit kishin shuar celularët e tyre para dhe pas vrasjes, duke ngritur dyshime se ekzekutimi i Doçit mund të ketë qenë një akt i planifikuar dhe jo thjesht një përleshje spontane.

Këto zhvillime ngrenë pikëpyetje serioze mbi mosveprimin e autoriteteve greke për të hetuar më thellë mafian e ndërtimit në Mykonos dhe lidhjet e saj me ngjarjet kriminale të viteve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR

Kush meriton të quhet “Harami i muajit Mars”?

  •  Irdi dhe Enea, të rinjtë që i thyen kafkën me gur shurdhmemecit 44-vjeçar
    Irdi dhe Enea, të rinjtë që i thyen kafkën me gur shurdhmemecit 44-vjeçar
    Dy të rinjtë nga Lushnja, njëri 17 dhe tjetri 20, dhunuan 44-vjeçarin Fabjol Hysi dhe i çanë kafkën me gurë pasi sipas tyre, Hysi shurdhmemec i kishte sharë. Dy të rinjtë u arrestuan, por Enea Korreshi u la i lirë pasi është kushëriri i Elton Korreshit, kandidat i PS për deputet në Lushnje
    980 Vota
  • Anila Denaj: Ministre Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
    Anila Denaj: Ministre Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
    Ministrja e Bujqësisë e cila në dimër ushqeu shqiptarët me 10 ton mandarina me pesticide dhe në pranverë me 18 ton fileto pule me salmonelë. Pavarësisht këtyre skandaleve të njëpasnjëshme, ministrja vazhdon e qetë detyrën e saj, kërkon edhe një mandat si deputete, dhe jep intervista e buzëqeshur sikur asgjë mos të ketë ndodhur
    262 Vota
  •  Shqiptari në Greqi vrau bashkëshorten dhe veten
    Shqiptari në Greqi vrau bashkëshorten dhe veten
    Një 53-vjeçar shqiptar, baba i dy fëmijëve vrau me thikë, duke e goditur disa herë në trup bashkëshorten e tij dhe më pas u hodh nga ballkoni i banesës ku jetonte në Selanik. Pavarësisht transportit në spital, shqiptari nuk mundi të mbijetonte
    79 Vota
  • AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit)
    AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit)
    Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që punën e bën vetëm në rrjete sociale, pasi kurrë nuk del në terren për të kontrolluar marketet, dyqanet dhe kioskat për produktet e skaduara dhe jashté çdo standardi që shesin. Pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme të shqiptarëve, AKU mbyll sytë dhe veshët dhe vijon gjumin
    172 Vota
  • Shoferi që shkaktoi aksidentin ku humbën jetën 4 të rinjtë
    Shoferi që shkaktoi aksidentin ku humbën jetën 4 të rinjtë
    Aleksandër Krrashi ndodhet në burg pasi betonierja e tij u bë shkak për një aksident tragjik ku 4 të rinj humbën jetën. 24-vjeçari drejtonte betonieren pa patentë dhe ndalimi në rrugë pa bllokazh solli përplasjen e fortë të “Audit” ku të rinjtë lëviznin me shumë shpejtësi.
    353 Vota
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit