91% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni dhe krimi janë të ngulitura në shoqërinë e institucionet shqiptare

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 25.03.2025, 12:32

Një hulumtim i kryer nga agjencia britanike “IDRA Research and Consulting” ka zbuluar se 91% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është problem madhor në Shqipëri.

Hulumtimi evidenton praninë, ndikimin dhe pasojat e rënda të korrupsionit dhe krimit të organizuar në çdo nivel të institucioneve dhe shoqërisë shqiptare, ndërsa thekson se qytetarët mbeten pesimistë se situata do të përmirësohet, edhe pse puna e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, shihet si një “simbol shprese”.

Hulumtimi i titulluar: “Barrierat dhe mundësitë për të reduktuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri” u realizua në gusht të vitit 2024.

Ai kombinon elemente sasiore dhe cilësore për të përfshirë një gamë të gjerë perceptimesh dhe është porositur nga Shërbimi i Komunikimit i Qeverisë Britanike për të kuptuar perceptimet mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar te qytetarët dhe punonjësit e sektorit publik në Shqipëri, e gjithashtu raportimin e tyre nga mediat.

Sipas 98% të të intervistuarve, korrupsioni paraqet një pengesë në të paktën një aspekt të jetës publike. Shumica e të intervistuarve, 69% e tyre, mendojnë se faktori kryesor që kontribuon në korrupsion është keqpërdorimi i pushtetit politik për përfitime personale nga politikanët.

52% e të anketuarve vlerësojnë se ai vjen si pasojë e zbatimit të dobët të ligjeve kundër korrupsionit ndërsa 46% besojnë se kjo ndodh si pasojë e lidhjeve të ngushta mes biznesit dhe politikës.

Hulumtimi zbulon se qytetarët mendojnë se pritshmëria për të dhënë ryshfet në këmbim të shërbimeve më të mira, ka krijuar një ‘kulturë korrupsioni’ në Shqipëri.

Ryshfeti dhe pagesat në këmbim të favoreve u theksuan si format më të zakonshme të korrupsionit në Shqipëri. Po ashtu, 83% e qytetarëve e identifikuan nepotizmin si një formë korrupsioni, ndërsa më shumë se gjysma identifikojnë forma të ryshfetit në disa fusha dhe skenarë të tjerë, duke përfshirë politikën, biznesin dhe shërbimet publike.

Shumë prej të intervistuarve kanë pranuar se ndonjëherë kanë preferuar të paguanin ryshfet për të përshpejtuar punët e tyre.

Pjesëmarrësit më të moshuar në anketim kanë pranuar përgjegjësinë e tyre në mënyrën e adresimit të korrupsionit dhe kanë theksuar nevojën për edukimin e brezave të rinj. Po ashtu, të rinjtë kanë nënvizuar rëndësinë e edukimit dhe ndikimit të familjes, pasi shumë prej tyre raportuan se ofrimi i ryshfetit për shërbime ishte një sjellje e mësuar nga familjet e tyre dhe e vazhduar gjatë gjithë jetës.

Sociologu Ergys Mërtiri shprehet se shqiptarët bashkëjetojnë kudo me forma të thjeshta dhe të përditshme të korrupsionit, që nga ndërhyrjet e favorizimet për një vend pune, për një notë në shkollë, për një licencë të pamerituar, e deri te shmangia e taksave, pagesave apo detyrimeve të ndryshme ndaj shtetit.

Ai nënvizon se ryshfeti, si një nga format më primitive të korrupsionit, në mjaft raste konsiderohet si i vetmi mekanizëm nëpërmjet të cilit mund të zgjidhësh nevojat e tua kudo.

“Sidomos në shëndetësi, ryshfeti jepet edhe pa ta kërkuar kush, pasi është bërë normë,” theksoi Mërtiri.

Sipas anketës, korrupsioni nxitet edhe nga keqpërdorimi i pushtetit për përfitime personale dhe zbatimi i dobët i ligjeve.

Keqpërdorimi i pushtetit politik për përfitime personale shihet si kontribuesi kryesor nga 69% e qytetarëve të pyetur, i ndjekur nga zbatimi i dobët i ligjeve kundër korrupsionit, lidhjet e ngushta midis bizneseve dhe partive politike, mungesa e transparencës në institucionet publike, mbrojtja e pamjaftueshme për ata që denoncojnë korrupsionin, pagat e ulëta të zyrtarëve publikë, etj.

Krimi i organizuar gjithashtu perceptohet si i rrënjosur në shoqërinë shqiptare. Në raport evidentohet se një në njëzet qytetarë kanë qenë viktimë e krimit të organizuar, ose njohin dikë që ka qenë. Prodhimi, shpërndarja dhe trafikimi i drogës, si dhe pastrimi i parave, konsiderohen si format më të zakonshme të krimit të organizuar në vend. Lehtësimi i emigracionit të paligjshëm, mashtrimi dhe falsifikimi i dokumenteve gjithashtu shihen si të zakonshme.

Në disa rajone, si Fieri, Elbasani dhe Shkodra, të intervistuarit kanë raportuar se janë të vetëdijshëm për praninë e bandave lokale dhe kanë pohuar se kishin dijeni për familje apo fise të përfshira në aktivitete kriminale.

Disa prej të intervistuarve besojnë se grupet kriminale kontrollojnë institucione kyçe shtetërore për të mbështetur aktivitetet e tyre të paligjshme.

Të intervistuarit kanë vënë në dukje lidhjen e krimit të organizuar me korrupsionin, duke theksuar se ato janë të ndërlidhura dhe fuqizojnë njëra-tjetrën. Po ashtu, qytetarët besojnë se krimi i organizuar ka depërtuar në institucione, duke ndikuar strukturat politike dhe zgjedhjet në Shqipëri.

“Kjo aleancë mes figurave kriminale dhe politikanëve jo vetëm që gërryen besimin tek proceset demokratike, por edhe forcon perceptimin se institucionet publike janë të pafuqishme për të kontrolluar krimin e organizuar”, citohet në raport.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit