TikTok, mjeti i ri i bandave shqiptare për rekrutimin e shpërndarësve të drogës në Britani

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 30.03.2025, 16:13

Kriminelët shqiptarë po shfrytëzojnë platformën TikTok për të rekrutuar individë në rrjetet e tyre të drogës, duke reklamuar mundësi pune që mund të gjenerojnë deri në 100,000 £ në vit për ata që pranojnë të angazhohen si shpërndarës droge.

Sipas një raporti të fundit nga e përditshmja britanike The Sun, reklamat e publikuara në këtë rrjet social premtojnë pagesa të mëdha, deri në 6,000 £ në muaj, pa taksa, për ata që janë të gatshëm të shpërndajnë kokainë dhe kanabis në një rrjet të organizuar që shtrihet nga Glasgow deri në jug të Anglisë.

Një nga rastet e përfshira është ai i shqiptarit P. O., 32 vjeç, i cili u arrestua pasi u zbulua se drejtonte një fermë kanabisi në Widnes. TikTok po bëhet një mjet i fuqishëm për bandat kriminale, të cilat përdorin këtë platformë për të ofruar punë në shpërndarjen e drogës, me pagesa prej 200 £ në ditë, si dhe shpërblime të mëdha për ata që pranojnë të përfshihen në aktivitete të paligjshme. Disa nga postimet shfaqin simbole si flamuri britanik Union Jack, duke promovuar shpërndarjen e drogës dhe mundësitë e punës që përfshijnë makina dhe karburant falas për punonjësit.

Për të shmangur vëmendjen e autoriteteve, përdoruesit e TikTok shpesh përdorin një gjuhë të koduar, duke përfshirë emoji si flokë bore për të simbolizuar kokainën, si dhe pemë Krishtlindjesh dhe bimë në vazo si referenca të fshehura. Policia ka paralajmëruar se këto taktika synojnë të tërheqin të rinj dhe individë të pambrojtur në aktivitete kriminale.

Gjithashtu, bandat shqiptare po përdorin TikTok për të ofruar shpërblime deri në 30,000 £ për informacion që ndihmon në eliminimin e rivalëve të tyre. Një tjetër tendencë e vërejtur është krijimi i llogarive të posaçme në TikTok nga këto grupe, të cilat përdorin kode të fshehta dhe referenca nga artistë shqiptarë për të tërhequr ndjekës dhe rekrutuar anëtarë të rinj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit