Grupe aktivistësh në rritje në Evropë po sjellin në dukje mangësitë dhe dëmet e mundshme të procesimit ose “pasterizimit” të qumështit në shëndetin e njeriut, duke argumentuar se trajtimi me nxehtësi është shkatërrues për vlerat e tij ushqyese.
Dyshime të forta po hidhen vitet e fundit ndaj bindjeve se pasterizimi nevojitet për të mbajtur larg bakteriet e dëmshme, në një kohë kur sistemi i tretjes dhe flora e zorrëve është vetë një komunitet bakteriesh që shpërbëjnë produktet ushqyese natyrore.
Studiues suedezë kanë analizuar më herët të dhënat e reagimeve ndaj qumështit në 61,000 gra e burra.
Studiuesit e drejtuar nga Karl Michaelsson përcaktuan lidhjen mes konsumit të qumështit dhe frakturave ose vdekjeve, që shiheshin më shumë te gratë.
Por në një dokument të shkruar pas studimit zyrtar, profesori epidemiologjisë Jonathan R. Kerr, citon se të dhënat nuk kishin bërë dallimin mes konsumit të qumështit të gjallë dhe atij të pasterizuar.
“Një gabim serioz i Michaelsson dhe kolegëve të tij, është se ata nuk kanë bërë dallimin mes qumështit ‘të pasterizuar’ që pi shumica e njerëzve dhe qumështit të gjallë të kafshëve. Këto dy artikuj janë komplet të ndryshme në strukturë, vlera ushqyese dhe lidhjet e tyre me sëmundjet, prandaj nuk mund t’i referohen të dyjave me fjalën ‘qumësht’”.
“Qumështi organik i patrajtuar, nga kafshë të ushqyera me bar, është produkti me vlerat ushqyese, bakteriet e dobishme si Lactobacillus acidophilus, nivele të larta vitaminash si A, B, C, D, E, K, enzima, minerale si kalciumi për forcimin e kockave, dhe acidi linoleik, në një përzierje që forcon absorbimin e përbërësve”.
“Pasterizimi i qumështit me proceset e nxehtësisë dhe shtesat e kimikateve mund të reduktojë patogjenët por gjithashtu vret bakterin e dobishëm ‘lactobacilli’ që prodhon vitaminën K2, e cila ndihmon absorbimin dhe normalizimin e funksionit të zorrëve”.
“Procesi i pasterizimit çnatyron proteinat delikate të qumështit dhe redukton përmbajtjen e vitaminave. Ndërsa kontaminimi i qumështit që mund të ndodhë gjatë pasterizimit shton shanset e përhapjes së infeksioneve serioze të njeriut”.
Kritikat e Jonathan R. Kerr përshtaten me idenë e të tjerë doktorëve si britanikja Natasha McBride, e cila pohon se sistemi tretës i njeriut dhe i kafshëve është një komunitet bakteriesh i lidhur ngushtë me trurin dhe në fakt e komandon atë, por mund të dëmtohet lehtë nga ushqime të çnatyruara, me shtesa kimike si pesticidet ose antibiotikët.
Jonathan R. Kerr vijon më tej në komentin mbi studimin, duke theksuar dëmin e reduktimit të yndyrnave gjatë pasterizimit:
“Autorët e studimit nuk kanë llogaritur përmbajtjen e yndyrës së qumështit, çka është e rëndësishme pasi mungesa e vitaminave të yndyrës lidhet me reduktimin e masës kockore dhe osteoporozën. Shumë njerëz përpiqen të reduktojnë marrjen e yndyrnave, siç besohet për reduktimin e sëmundjeve të zemrës, por në fakt kjo është një temë shumë kontroverse.”
“Megjithse legjislacioni aktual legjitimon pasterizimin e qumështit, qumështi i gjallë mund të blihet ende në Evropë dhe Amerikën e Veriut, ndërsa është i gjindshëm gjerësisht në vendet më pak të zhvilluara, me ekonomi ende kryesisht agrare”.