Trump vendos tarifa 20% për të gjitha produktet e Bashkimit Europian

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.04.2025, 00:13

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të përfshijë Bashkimin Evropian në kategorinë më të keqe të partnerëve tregtarë të Amerikës, duke vendosur një tarifë prej 20% për të gjitha produktet e importit që vijnë nga vendet e bllokut.

Ky vendim e vendos BE-në në të njëjtën kategori me ekonomitë kryesore si Kina, Japonia, Tajvani dhe Koreja e Jugut, duke ngritur barriera tregtare që nuk janë parë që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.

Trump shpalli një emergjencë kombëtare për të vendosur një tarifë prej 10% për importet nga të gjitha vendet dhe tarifa shtesë për rreth 60 shtete, të cilat ai i konsideron si 'shkelësit më të mëdhenj tregtarë'.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se tarifa 10% do të hyjë në fuqi më 5 prill, ndërsa tarifat e veçanta për vendet “më problematike” më 9 prill.

"Për dekada, vendi ynë është plaçkitur dhe shfrytëzuar nga vende të afërta dhe të largëta, si miq ashtu edhe armiq," deklaroi Trump gjatë një konference në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë.

"Tani do ta tarifojmë Bashkimin Evropian. Ata janë shumë të ashpër në tregti. Shumë, shumë të ashpër. Ju mund të mendoni se BE-ja është e sjellshme, por ata na mashtrojnë. Është e trishtë ta shohësh. Është e turpshme,” u shpreh Trump.

Administrata e Trump pretendon se BE i tarifon produktet amerikane me 39%, ndaj ka vendosur një tarifë prej 20%, duke e quajtur këtë një "tarifë reciproke të drejtë".

Sipas Uashingtonit, BE-ja përdor barriera jotarifore, si taksa mbi vlerën e shtuar dhe rregulloret teknologjike, të cilat penalizojnë produktet amerikane.

Ky vendim vjen si një goditje për Bashkimin Evropian, i cili kishte kërkuar të negocionte me administratën amerikane për të shmangur këto masa. Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, zhvilloi dy vizita në Uashington për të diskutuar mbi çështjen, por pa rezultat.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se do të përgjigjet me masa reciproke ndaj tarifave të reja amerikane, si dhe ndaj tarifave mbi çelikun dhe aluminin që tashmë janë në fuqi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit