Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme bazohet në rezultatet e arritura gjatë vitit 2024 pas marrjes së masave emergjente për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.
Në një konferencë për media, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kanë angazhuar kompani private, pasi, sipas tij, kompania “Pastrimi” nuk ka kapacitet për menaxhimin e mbeturinave.
“Duhet të vazhdojmë të angazhojmë kompani private që t’i ndihmojnë kompanisë ‘Pastrimi’ në pastrimin e mirëfilltë të kryeqytetit. Tash e kemi edhe infrastrukturën e qytetit inteligjent, por na duhet angazhimi i mirëfilltë edhe i kompanive private shtesë, sepse, përndryshe, do ta kemi gjendjen si në të kaluarën”, tha Rama.
Ai theksoi se përkeqësimi është i dukshëm në çdo hapësirë të Prishtinës, duke e quajtur këtë situatë një tentativë të pastër politike.
“Kemi angazhuar kompani private për menaxhim, sepse ‘Pastrimi’ nuk ka pasur kapacitet ta bëjë menaxhimin e mbeturinave. Prej se ka ardhur drejtori Bekim Brestovci, gjendja është përmirësuar. Por dikujt, si duket, i ka penguar. LVV-ja dhe PDK-ja me rregullore e kanë ndaluar. Gjendja kësisoj po përkeqësohet. Gjendjen emergjente që e kemi shpallur do ta vazhdojmë edhe tani”, tha ai.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, akuzoi opozitën e kryeqytetit për pengim të tentativave komunale për menaxhimin e situatës.
“Veprimet që i kemi marrë në atë kohë kanë sjellë efekt tejet të madh, por, si duket, ky efekt i arritur dhe tentativa jonë për të ndërtuar një koncept të ri për vitin 2025, që do ta radhiste Prishtinën si kryeqytetin më të pastër në rajon, ka dërguar sinjal negativ te oponentët politikë. Koalicioni në Asamblenë Komunale, VV – PDK, ka tentuar të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat për ta penguar një qasje të tillë”, tha ai.
Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” kishin protestuar në nëntor të vitit të kaluar para komunës, duke kundërshtuar angazhimin e kompanive private.