Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave deri në 200% për të gjitha pijet alkoolike nga Bashkimi Europian, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të BE-së për të aplikuar një taksë prej 50% mbi uiskin amerikan.
"Bashkimi Europian, një nga autoritetet më armiqësore dhe abuzive në botë për taksat dhe tarifat, i krijuar vetëm për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara, sapo ka vendosur një tarifë të ndyrë prej 50% mbi uiskin amerikan," shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.
"Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, SHBA do të vendosë një tarifë 200% mbi të gjitha verërat, shampanjat dhe produktet alkoolike nga Franca dhe vendet e tjera të BE-së. Kjo do të jetë e shkëlqyer për biznesin e verës dhe shampanjës në SHBA," paralajmëroi ai.
Vendimi i BE-së për tarifën 50% ndaj uiskit pritet të hyjë në fuqi në prill dhe vjen si kundërpërgjigje ndaj tarifave të reja të Trump mbi importet e çelikut dhe aluminit, të cilat hynë në fuqi të mërkurën.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, reagoi duke e cilësuar lëvizjen e Trump si të dëmshme për bizneset dhe konsumatorët.
"Ne e dënojmë këtë masë. Tarifimi dëmton ekonominë, shkakton pasiguri dhe rrit çmimet si në Europë, ashtu edhe në SHBA," tha ajo në një deklaratë, duke nënvizuar se BE-ja mbetet e hapur për negociata për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve tregtare.
Ndërkohë, BE-ja po shqyrton 'masa hakmarrëse' mbi produkte të tjera amerikane, duke përfshirë mishin e pulës, biftekun, produktet e bulmetit, mjaltin, frutat dhe mobiliet.
Gjatë një prononcimi nga Zyra Ovale, ku ishte i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, Trump e sulmoi ashpër BE-në, duke e akuzuar se tarifon rëndë makinat amerikane dhe ndjek penalisht kompanitë amerikane.
"Bashkimi Europian është shumë, shumë i keq. Ata padisin kompanitë tona dhe na mashtrojnë prej vitesh. Kjo nuk do të ndodhë më!" deklaroi Trump.