Spitali Elbasan nën drejtimin e Agron GAXHO, vazhdon të vjedhë pa kriter. Ky spital është denoncuar shpesh në lidhje me tenderat e dyshimtë që ka bërë gjatë viteve e megjithatë askush nuk duket se e ka vrarë mendjen për të hetuar se ku përfundojnë paratë e shqiptarëve.
Në rastin më të fundit rezulton se ky spital ka harxhuar rreth 200 milionë lekë të vjetra me TVSH pa garë për rezonancën magnetike. Bëhet fjalë për një tender që ka si objekt “FURNIZIM VENDOSJE PAJISJE MJEKSORE PËR SISTEMIN E REZONANCËS MAGNETIKE”, me fond limit 16,416,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 200 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Nëse studiojmë dokumentat e kësaj procedure, shikohet se kemi të bëjmë me mungesë konkurrence pasi ka marrë pjesë në garë vetëm fituesi. Bëhet fjalë për kompaninë Health & Light në pronësi deri në dhjetor të 2022 të Erion Çela dhe Ervis Mançe. Pas datës 14.12.2022 këta dy ortakë i kanë transferuar kuotat e tyre tek një person i quajtur Petrit Dibra.
Firma fituese ka ofruar vlerën 16,113,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 200 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Përveç mungesës së konkurrencës, shikohet gjithashtu se vlera fituese është thuajse identike me fondin limit, përkatësisht sa 98% e tij.