Eksperimenti revolucionar, pacienti jeton 104 ditë me zemër artificiale titaniumi

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.03.2025, 21:04

Një burrë ka arritur të jetojë me një zemër artificiale prej titaniumi për 104 ditë, duke u bërë personi i parë në botë që e përjeton këtë eksperiment për një kohë kaq të gjatë.

Pacienti, i cili është në të 40-at, po priste një transplant zemre, proces që sipas PennMedicine mund të zgjasë nga disa ditë deri në disa muaj, në varësi të faktorëve si grupi i gjakut, gjendja shëndetësore dhe madhësia e trupit. Për këtë arsye, disa pacientë kanë nevojë për një zgjidhje të përkohshme deri në transplantin e tyre – dhe këtu hyn në lojë zemra artificiale e titaniumit.

Kjo teknologji inovative është zhvilluar nga kompania BiVACOR, me bazë në SHBA dhe Australi. Pajisja ka vetëm një pjesë lëvizëse – një rotor i pezulluar që mbahet i fiksuar nga magnetët, sipas CNN.

Operacioni u krye në Spitalin St Vincent në Sidnei, Australi, ku pacienti, që vuante nga dështimi i rëndë i zemrës, e mbajti pajisjen për 104 ditë para se të kryente me sukses një transplant të vërtetë zemre.

Aktualisht, zemra artificiale përdoret si një "urë" për të mbajtur pacientët në gjendje të mirë shëndetësore deri në transplantin e tyre. Megjithatë, shpresohet që në të ardhmen ajo të bëhet një alternativë afatgjatë ndaj zemrës njerëzore.

Themeluesi i BiVACOR, bioinxhinieri australian Daniel Timms, falënderoi pacientin dhe familjen e tij për besimin e treguar në këtë teknologji:

"Guximi i tyre do të hapë rrugën për shumë pacientë të tjerë që do të përfitojnë nga kjo teknologji shpëtuese," tha ai.

Në shkurt, pacienti u bë personi i parë në botë që la spitalin me një zemër artificiale BiVACOR dhe më pas kreu transplantin e suksesshëm në fillim të këtij muaji.

Profesori Chris Hayward, nga Instituti Kardiak Victor Chang, e cilësoi këtë shpikje si një ndryshim të madh për transplantet e zemrës:

"Brenda dekadës së ardhshme, zemra artificiale do të bëhet një alternativë për pacientët që nuk mund të presin një zemër donatore apo kur një e tillë nuk është e disponueshme," tha ai.

Ky rast vjen pas një tjetër eksperience të suksesshme vitin e kaluar, ku një pacient me dështim të avancuar të zemrës mbijetoi për tetë ditë me një zemër artificiale, derisa u gjet një donator.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit