Ylli Didani, një shqiptar i arrestuar prej vitesh në SHBA rezulton të jetë kreu i një grupi kriminal të shkatërruar gjatë operacionit “Bandi-Hammer” të realizuar nga DEA, policia spanjolle dhe ajo holandeze.
Gjatë këtij operacioni, në Spanjë dhe Holandë u arrestuan 5 persona të akuzuar për trafikimin e mbi 2.3ton kokainë, sasi të kapura në Bilbao dhe Algecira të Spanjës në 2020, 2021 dhe 2022.
Policia spanjolle thotë se ky grup kriminal drejtohej nga Didani i cili kontrollonte trafikun e kokainës në 15 shtete përfshirë dhe Spanjën.
45 vjeçari Ylli Didani, nga fshati Janjar i Sarandës dhe prej vitesh banues në Illinois u arrestua në vitin 2021 në aeroportin e Chicagos teksa vinte nga Shqipëria. Ai kishte planifikuar të ndërtonte një “dron nënujor” për të transportuar kokainë nga Amerika e Jugut në Europë. Ai rezulton përgjegjës për sasinë prej 1.1ton kokainë të kapur në Bilbao në 2020.