Fondi Europian i Trajnimeve: Nxënësit e varfër më të dobët në mësime, Shqipëria ka përqindjen më të lartë

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 10.03.2025, 12:40

Fondacioni Europian i Trajnimeve (ETF), në raportin e tij të fundit "Trajnimet, Arsimi, Aftësitë dhe Punësimi: Tendencat dhe Zhvillimet 2024", vëren se niveli ekonomik i të rinjve ndikon ndjeshëm në rezultatet e tyre mësimore, veçanërisht në matematikë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në vitin 2022, rezultatet e testit ndërkombëtar PISA tregojnë se nxënësit që i përkasin 20% të popullsisë me të ardhurat më të ulëta kanë performancë shumë të dobët në këtë lëndë.

Shifrat tregojnë se në Shqipëri, 82% e nxënësve nga familjet me të ardhura të ulëta kanë rezultate tejet të dobëta në matematikë, përqindja më e lartë në Europë dhe në rajon. ETF sugjeron se ky tregues mund të ndihmojë në identifikimin e të rinjve vulnerabël dhe të nevojës së tyre për mbështetje në arsim.

Pavarësisht sfidave ekonomike, jo të gjithë nxënësit në kushte të vështira kanë rezultate të dobëta. Disa prej tyre arrijnë të performojnë mirë, duke sfiduar rrethanat e tyre. Megjithatë, shumica e të rinjve me disavantazhe ekonomike përballen me pengesa të shumta për arsimimin dhe mundësitë e tyre në të ardhmen.

Në vendet jo anëtare të BE-së, mbi gjysma e nxënësve nga shtresat më të varfra kanë vështirësi arsimore dhe ekonomike, por në Shqipëri kjo përqindje është edhe më e lartë (82%). Vende si Palestina, Jordania, Kosova, Maroku dhe Uzbekistani kanë gjithashtu nivele të larta të nxënësve të pafavorizuar. Në Maqedoninë e Veriut, Gjeorgji, Moldavi dhe Mal të Zi situata është gjithashtu shqetësuese.

Në të kundërt, Turqia, Izraeli, Kazakistani dhe Serbia kanë përqindje më të ulëta të nxënësve nga familjet me të ardhura të ulëta që hasin vështirësi akademike. Këto dallime theksojnë nevojën për politika më të forta arsimore në vendet me përqindje të larta të nxënësve në disavantazh.

ETF thekson se Shqipëria dhe vendet e tjera me probleme të ngjashme duhet të marrin masa konkrete për të ndihmuar të rinjtë në nevojë, duke garantuar një arsim më cilësor dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit