Është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani.
Harasani u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 54-vjeçare pas një beteje 2-vjeçare me një sëmundje të rëndë nga e cila vuante.
Lajmi i hidhur është bërë me dije në rrjetet sociale nga miku i tij, Agim Muço.
“Para pak minutash u njoftova se u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Andis Harasani. Andisin e kam njohur kur e kisha student në Fakultetin Ekonomik. Ishte vërtetë një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte&Touche Tirana. Ishte një tirons i omël por dhe djal i zoti,” shkruan miku i ish-deputetit të PS.
Andis Harasani shërbeu si deputet në dy mandate, duke u zgjedhur në vitet 2005 dhe 2009. Para kësaj, nga shtatori 2002 deri në korrik 2005, ai mbajti postin e drejtorit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Në vitin 2012, Harasani dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, ai mbeti aktiv në sferën publike, duke shprehur kritika të ashpra ndaj Edi Ramës dhe Rilindjes nëpërmjet rrjeteve sociale.