Një ngjarje e dhunshme ka ndodhur sot rreth orës 14:45, në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë, ku një grup të rinjsh janë konfliktuar me sende të forta dhe një person ka mbetur i plagosur me thikë.
Shtetasi K. H., rreth 20 vjeç, ka marrë plagë të rënda nga një mjet prerës dhe është dërguar në spital, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjatë sherrit, janë dëmtuar edhe tre persona të tjerë: R. Y., 30 vjeç, R. M., 19 vjeç, dhe D. I., 32 vjeç, të cilët morën ndihmë mjekësore dhe më pas u shoqëruan në komisariat për t’u marrë në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes me thikë, shtetasin A. B., 25 vjeç. Grupi hetimor është duke vijuar me hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.