Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar ditën e djeshme në pikën kufitare të Karasovići, Kroaci pasi po transportonin 11 kg heroinë.
Sipas mediave kroate, dje më datë 10 janar rreth orës 11:30 është afruar në kufi një mjet me marka kombëtare shqiptare, i drejtuar nga një 30-vjeçar, ndërsa pasagjeri ishte një 44-vjeçar, të dy shtetas të Shqipërisë.
Pas dyshimeve të punonjësve të policisë, dy shtetasit shqiptarë kanë kaluar në vijën e dytë të kontrollit për kontrolle të mëtejshme. Falë ndihmës së qenve anti-drogë, policia ka arritur të gjejë pako me gjithsej 11.035 kg heroinë. Shoferi dhe pasagjeri u arrestuan dhe nga hetimi penal u konstatua se ata synonin të transportonin heroinë nga Shqipëria në tregun e Europës Perëndimore.
Kujtojmë se më 14 dhjetor të vitit të kaluar, efektivët e policisë me bashkëpunimin e doganierëve gjetën 5.4 kg heroinë dhe 5.6 kg kokainë në një autobus me marka kombëtare shqiptare, destinacioni i të cilit ishte edhe tregu i Evropës Perëndimore.