Coca-Cola është një nga pijet më të preferuara në botë dhe që nga viti 1994, ajo është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme të shqiptarëve. Në këto tri dekada, kompania multinacionale ka arritur të bëhet lider në stilin e jetës shqiptare, duke kontribuar gjithashtu në rritjen ekonomike të vendit. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e fushatave publicitare të rëndësishme, të cilat kanë sjellë sukseset e saj nëpërmjet mediave kryesore, siç ishte festa e 30-vjetorit të Coca-Cola Bottling Shqipëria.
Megjithatë, viti 2024 nuk ka qenë plot me ngjyra rozë për këtë kompani, pasi një raport i fundit i KLSH-së ka nxjerrë në pah një sërë parregullsish dhe skandalesh. Sipas auditimit, në procesin e asgjësimit të pijeve të skaduara për vitin 2020 ka munguar procesverbali i rregullt, pasi ky dokument është nënshkruar vetëm nga inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke lënë jashtë të tjerë inspektorë të tjerë, si ata nga Ministria e Mjedisit dhe Tatimeve, të cilët sipas ligjit duhet të firmosnin procesverbalin. Po ashtu, mungesa e fotove dhe dokumenteve të tjera për vendin e asgjësimit të produkteve ka ngritur dyshime për procesin e vërtetë të asgjësimit të pijeve të skaduara.
KLSH ka ngritur gjithashtu shqetësimin për menaxhimin e mbetjeve që generon kompania. Sipas lejes mjedisore të vitit 2015, Coca-Cola ka një gamë të gjerë mbetjesh, përfshirë ambalazhe letër, karton, plastike, dhe llumra nga impiantet e trajtimit të ujërave, të cilat duhet të asgjësohen nga operatorë të licensuar. Por, raportet tregojnë se kompania ka vazhduar të gjenerojë mbetje të tjera që nuk janë përfshirë në lejen mjedisore, dhe më e rëndësishmja, nuk ka asnjë informacion të qartë se ku përfundojnë këto mbetje.
Në përgjigjen e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, u mësua se asgjësimin e këtyre mbetjeve e bëjnë vetëm disa subjekte të licensuara në Shqipëri, por asnjë nga këto subjekte nuk ka lidhur marrëveshje me Coca-Cola për asgjësimin e këtyre mbetjeve. Po ashtu, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Coca-Cola për eksportin e mbetjeve gjatë periudhës 2022-2024.
Me një kërkesë të bërë në 15 maj të vitit 2024, Coca-Cola Bottling Shqipëria ka kërkuar asgjësimin e dy llojeve mbetjesh: karbon aktiv dhe llumra, të cilat nuk janë përfshirë në lejen mjedisore të kompanisë. Më shumë se kaq, kjo kërkesë e bën të qartë se kompania vazhdon të gjenerojë mbetje pa leje dhe nuk ka informacion të mjaftueshëm për asgjësimin e tyre. Ky skandal ka ngritur pyetje të shumta: ku përfundojnë këto mbetje dhe a janë realizuar procedurat e duhur për asgjësimin e tyre?