Proda lufton kontejnerët e Thethit, jo krimbat e Xhemalit, vrasësit e Martinit dhe Eglit, dhunuesit e Fabjolit!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 10.07.2025, 10:58

Ilir Proda, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka shpallur kryqëzatën e tij kundër krimit të madh, kundër kontejnerëve të përkohshëm të prishur me vrull pas një urdhri të të madhit, Edi Rama i cili shkatërron kontejnerët e përkohshëm dhe lejon miqtë e tij oligarkë që të zaptojnë bregdetet e Shqipërisë me tulla e beton. Me një akt vendosmërie që do të hyjë në fushën e absurditeteve të shtetit shqiptar, Proda ka shkarkuar drejtorin e Policisë së Shkodrës Fatmir Lleshaj dhe shefin e komisariatit Nik Nikolla ndërsa ka pezulluar nga detyra shefin e stacionit të policisë së Thethit, për faktin se nuk arritën të parandalonin ngritjen e disa strukturave të përkohshme në Theth, jo vila, as pallate.

Në të njëjtën kohë, në zemër të Tiranës, morgu shtetëror është kthyer në një vend më të errët se ferri i Dantes.Trupat kalben, krimbat bëjnë patrullë në mungesë të policisë dhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Luciferi Bledar Xhemali, nuk tund as xhaketën. Mirë ky, por ironia më e madhe qëndron te Proda i cili krenohet me dy shkarkime të dy drejtorëve të Policisë Shkodër që lejuan vendosjen e kontejnerëve në Theth, por nuk sheh si problem faktin që krimi i vërtetë po ndodh te morgu i Tiranës, aty ku të ndjerët keqtrajtohen si të ishte ferri.

Skandali që mban emrin dhe mbiemrin Ilir Proda, vazhdon edhe më tej me heshtjen e tij ndaj rastit të Fabjol Hysit, një shurdh-memec që u godit barbarisht dhe u la në koma, ndërsa një nga autorët është liruar me lehtësi. Kamera ka, prova ka, por Proda sërish e mban uniformën veshur dhe bën një sy qorr dhe një vesh shurdh përballë këtij skandali e shumë të tjerave nën petkun e Policisë së Shtetit.

Një tjetër skandal ku është e përfshirë Policia e Shtetit është dhe ngjarja e Martin Canit. JOQ Albania zbuloi se në grupin e të rinjve të përfshirë në një ngjarje kriminale, del se gjendet edhe Kledion Bejkaj djali i dy figurave të ndritura të drejtësisë shqiptare, Maksim Bejkajt, hetues në BKH, dhe Nevila Bejkajt, eksperte statistikash në SPAK, por Policia e Shtetit, nën drejtimin e Ilir Prodës, e fshiu emrin e tij nga aktet sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Po për këtë përse nuk reagoi Proda? Apo kur krimi ka mbiemër të rëndë dhe lidhje me sistemin, Proda nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk flet?

Gjithashtu vrasja e Egli Progës në gusht të 2024 në Pogradec u përpoq fillimisht të fshihej nga Policia askohe e drejtuar nga Muhamet Rrumbullaku si “rrëzim nga dehja”, por u desh presioni publik dhe raportimi i JOQ ALBANIA që e vërteta të dalë në dritë, ai ishte vrarë nga Denis Meçe. Ky manipulim nuk është gabim, por turp institucional. Pas marrjes së detyrës në tetor 2024, Proda si drejtor i policisë së Shtetit duhej që të fimroste dorëhqejen e Drejtorit të Policisë Pogradec Elton Halili dhe gjithë Komisariati i Pogradecit duhej hetuar, jo vetëm për fshehjen, por për kulturën e një policie që i trajton vrasjet si incidente banale, ndërsa qytetarët i lë pa mbrojtje. Z. Proda, nuk veproi sepse as ky skandal nuk e shqetësoi.

Skandalet e Prodës i cili tregon se kush është i denjë për uniformë policie nuk ndalen këtu! Kemi patur plot raste ku banorët kërkonin të drejtën e tyre për një tokë të zënë nga oligarkët dhe policia ishte në krah të tyre jo të qytetarëve. Janë regjistruar shumë raste ku qytetarët për të mbrojtur ujin e tyre, tokën, shtëpitë janë dhunuar nga policia që vesh uniformën e drejtësisë me ata që nuk janë miq të pushtetit dhe mbron ata që zaptojnë sipërfaqet e Shqipërisë sepse njohin pushtetin. Pse në këto raste nuk ka reaguar Proda?!

Nëse një drejtues policie nuk është i denjë për uniformën për shkak të një kontejneri në Theth, çfarë uniforme meriton një drejtor që hesht kur trupat kalben në morgun e Tiranës, mes krimbave e mungesës totale të dinjitetit njerëzor? Kur një i ri shurdh-memec si Fabjol Hysi rrihet barbarisht dhe lirohen autorët, edhe pse ka kamera dhe prova? Kur një vrasje në Pogradec si ajo e Egli Progës tentohet të fshihet si 'rrëzim nga dehja', dhe askush nuk mban përgjegjësi? Kur emri i djalit të një zyrtari të drejtësisë hiqet nga dosjet e policisë për vrasjen e Martinit sikur të mos kishte ekzistuar kurrë? Kur qytetarët dhunohen për të mbrojtur tokën, shtëpitë dhe ujin nga oligarkët që zaptojnë Shqipërinë me mbështetjen e pushtetit?

Apo ndoshta Ilir Proda ka një uniformë speciale të bërë nga heshtja ndaj krimit, nga drejtësia selektive dhe një moral i padepërtueshëm nga e vërteta?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit