JOQ Albania bëri publike ekskluzivisht mbrëmjen e djeshme një ngjarje të rëndë të ndodhur pak ditë më parë në Lushnje, ngjarje e cila është fshehur nga Policia e Shtetit shqiptar.
Fabjol Hysi (44 vjeç), pjesë e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara (shurdh-memec), u sulmua brutalisht nga dy të rinj, Enea Korreshi (17 vjeç) dhe Irdi Nasufi (20 vjeç) të cilët e goditën brutalisht me grushte. Ky i fundit e goditi të mjerin shurdh-memec, me një gur në kokë duke i shkaktuar fraktura në kafkë dhe hemorragji në tru.
44-vjeçari aktualisht ndodhet në koma në Spitalin e Traumës në Tiranë. Burime të afërta të viktimës bënë me dije ditën e sotme për JOQ se 17-vjeçari Enea Korreshi, njëri prej autorëve të tentativë-vrasjes është lënë i lirë.
”Pershendetje JOQ. Jam një familjare i Fabiol Hysit ne Lushnje.Njeri nga agresoret ka dal qe dje nga paraburgimi ndërkohë qe Fabioli eshte ne gjendje kome.Mund ta verifikoni ketë qe po them,behet fjalë për Enea Korreshin.Flm per zërin qe i dhatë kësaj ceshtje!”
Drejtori Madhor i Policisë së Shtetir Ilir Proda jo vetëm që nuk reagoi për këtë ngjarje, por urdhëroi edhe Policinë të heshtte ndërkohë që njëri prej autorëve të ngjarjes masakër është lënë i lirë.
Qytetarët e revoltuar kanë kërkuar dorëheqjen e Prodës. Si tjetër rast i përsëritur ky i Fabjol Hysit, i ngjashëm me rastin e vrasjes të së pafajshmit Egli Proga në Pogradec imazhi i të cilit u tentua të baltosej nga Policia e Shtetit duke fshehur ngjarjen e po ashtu në vrasjen e Martin Canit, ku autorët me prindër hetues u përjashtuan nga ngjarja.
Ngjarja tmerruese e ndodhur mbrëmjen e së enjtes, më 20 mars, mori popullaritet vetëm pasi JOQ Albania bëri denoncimin publik të autorëve me emra e pamje, duke shkaktuar revoltë të madhe tek qytetarët se përse një rast i tillë nuk ishte raportuar nga Policia e Shtetit.
Duke qenë se viktima nuk mund të dëgjojë dhe të flasë, ai nuk ka pasur mundësi të kërkojë ndihmë. Kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendngjarjes kanë dokumentuar sulmin, policia i ka patur në dorë dhe ka refuzuar të denoncojë publikisht ngjarjen, deri në momentin që u bë publike nga JOQ.
Burime pranë familjarëve të të plagosurit thanë për JOQ se ngjarja po tentohet të fshihet, pavarësisht se bëhet fjalë për një tentativë të rëndë për vrasje. Ata kërkuan drejtësi dhe që rasti të marrë vëmendjen e duhur nga autoritetet!