Qytetarja: Te “Fresku” parkohet mbi trotuar, po rrezikojnë jetën e fëmijëve

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 14.04.2025, 15:34

Një qytetare në njësinë administrative nr. 12 në Tiranë, zona e njohur si Fresku, ka ngritur një shqetësim serioz që prek jo vetëm të përditshmen e saj, por edhe sigurinë e dhjetëra prindërve dhe fëmijëve të vegjël që frekuentojnë një nga çerdhet e lagjes.

Sipas saj, në hyrje të ndërtesës ku ndodhet çerdhja dhe Bar Lulishtja, përballë hyrjes kryesore, ekziston një trotuar rreth 20-30 metra i cili prej kohësh është uzurpuar në mënyrë të paligjshme nga automjete të parkuara.

“Është bërë e zakonshme që ky segment të përdoret si parking personal nga drejtues mjetesh të papërgjegjshëm. Javën e kaluar kemi telefonuar tre herë Policinë Rrugore për të marrë masa kundër dy makinave që kanë një javë të parkuara aty – një Smart dhe një Benz – por nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Asnjë gjobë, asnjë paralajmërim,” thotë ajo.

Ajo shton se ekziston dyshimi që automjetet mund t’i përkasin një servisi aty pranë, duke i lënë të bllokojnë hapësirat publike për ditë të tëra, pa ndëshkim.

“Ne si prindër detyrohemi të zbresim në rrugë bashkë me fëmijët, duke rrezikuar seriozisht jetën për shkak të mungesës së hapësirës për ecje,” shprehet ajo me shqetësim.

Qytetarja i bën një thirrje të drejtpërdrejtë Policisë së Shtetit që të veprojë menjëherë me masa ndëshkuese ndaj çdo automjeti që parkohet mbi trotuar, si dhe Bashkisë së Tiranës që të marrë në konsideratë vendosjen e një rrethimi me hekura për të mbrojtur këtë segment trotuari.

Denoncimi i plotë

"Përshëndetje JOQ, Jam një banore e njësisë 12 ne Tirane, siç njihet ndryshe zona e Freskut dhe dua te ngre një shqetësim timin por besoj edhe te shume banoreve qe janë prindër me fëmije te vegjël. Konkretisht, unë çoj çdo dite vajzën te njëra nga çerdhet e lagjes, ne te njëjtën ndërtese ku ndodhet dhe Bar Lulishtja.

Aty përballe ndërtesës, nga krahu i hyrjes kryesore ndodhet një trotuar rreth 20-30 metër i cili sistematikisht dhe ne mënyre abuzive përdoret për parkimin e makinave. Javën qe kaloi kemi telefonuar 3 here Policinë Rrugore qe te marr masa me gjobe specifikash per 2 prej mjeteve (Smart dhe Benz) qe kane zënë plotësisht trotuarin dhe kane 1 jave qe nuk lëvizin fare. Nuk është marr asnjë mase, nuk ka asnjë gjobe.

Dhe ne si banor detyrohemi te rrezikojmë jetën e fëmijëve dhe jetën tone duke dal ne rruge vetëm se këta te papërgjegjshëm parkojnë aty. Ato mund te jene dhe makina te prishura sepse përballë me trotuarin ndodhet dhe një servis qe mund t'i ketë lënë, por do duhej te kishin gjetur zgjidhje tjetër.

I bej thirrje nëpërmjet jush, e para Policisë se Shtetit qe t'i gjobisin cdo dite sistematikisht derisa te zene mend te gjithë ata qe parkojnë aty mbi trotuar dhe, e dyta Bashkisë Tirane qe mqs po behet gjithë ai investim me trotuare te reja, me shtylla e me rruge, te bëjnë një rrethim hekuri për ato 20-30 metra qe te kemi mundësi te kalojmë normalisht pa rrezikuar jetën. Ju lutemi merrni masa sa nuk është vone se larg qofte po ndodhi e keqja mos thoni nuk e dinim, nuk na e thane.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit