Një tjetër rast shqetësues për sigurinë ushqimore është denoncuar nga qytetarët.
Kosi i markës “Gjirofarm” i ka rezultuar një qytetareje i mykur pavarësisht se data e skadencës e printuar në ambalazh është ende larg.
Qytetarja që ka denoncuar rastin tregon me foto praninë e mykut në sipërfaqen e produktit, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi standardet e ruajtjes, kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore të kompanisë.
“Ky është një rrezik i drejtpërdrejtë për shëndetin tonë dhe të familjeve tona,” shprehet e indinjuar konsumatorja.
Ajo kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse si AKU pasi raste të tilla sa vijnë dhe shtohen dhe siguria ushqimore është në nivele alarmante.