DETAJE TË REJA/ “Tako komisar Brashën”, si 20-vjeçari që hiqej si polic përdorte email të rremë me emrin e Ilir Prodës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.11.2025, 18:48

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me rastin e 20-vjeçarit Ervis Brasha, i cili u arrestua ditën e djeshme në Kamëz pasi hiqej si punonjës policie.

Burime nga Policia kanë konfirmuar për redaksinë e JOQ Albania se i riu ka shkuar edhe më tej në mashtrimet e tij, duke përdorur një email të rremë në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me të cilin u dërgonte qytetarëve mesazhe si të ishte vetë drejtuesi i policisë.

Në këto mesazhe, ai prezantohej si Proda dhe u kërkonte qytetarëve që të takonin “komisarin Ervis Brasha”, duke i bërë të besonin se po vepronin me urdhër zyrtar. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se disa persona që kishin probleme ligjore mund të kenë rënë pre e mashtrimit dhe të kenë dorëzuar para, por kjo pistë është ende nën hetim.

Po sipas burimeve, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ishte vënë në dijeni të veprimeve të tij përpara arrestimit, pasi ishte informuar nga një punonjës i Policisë Bashkiake të Tiranës.

Rezulton gjithashtu se Brasha kishte tentuar disa herë të bëhej pjesë e strukturave të rendit: më 27 dhjetor 2023 kishte aplikuar për Policinë Bashkiake, por u skualifikua, ndërsa më 18 shtator 2025 provoi të futej në Policinë e Burgjeve, ku gjithashtu nuk kaloi fazat e përzgjedhjes.

Kujtojmë se një ditë më parë, JOQ Albania raportoi për arrestimin e 20-vjeçarit, i cili u kap duke lëvizur me automjetin e tij i veshur me uniformë dhe stema të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti katër dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, një armë sportive, uniformë policie, 16 stema dhe grada të ndryshme, si dhe tre kapele me shenja policore.

Pas verifikimeve, u zbulua se i riu nuk kishte asnjë lidhje me strukturat e policisë, por kishte krijuar kontakte të shumta me efektivë të vërtetë, duke u prezantuar si koleg. Ai publikonte foto dhe video brenda institucioneve shtetërore, madje edhe në Akademinë e Sigurisë, ku shihej duke hyrë me automjet në ambientet e brendshme, pavarësisht se hyrja lejohet vetëm me autorizim zyrtar.

Burime nga policia kanë deklaruar më herët për JOQ Albania se uniformat dhe gradat që mbante Brasha ishin origjinale, ndërsa i falsifikuar ishte vetëm dokumenti i identifikimit policor. Kjo ka ngritur dyshime të forta se ai mund t’i ketë siguruar nga punonjës të vërtetë policie apo përmes lidhjeve me persona brenda strukturave të rendit.

Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse 20-vjeçari ka pasur bashkëpunëtorë dhe për të zbuluar nëse është përfshirë në veprimtari të tjera kriminale, duke u shtirur si punonjës i Policisë së Shtetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit