Hiqej si polic, arrestohet i riu në Kamëz: Në banesë iu gjetën armë dhe uniforma e stema të falsifikuara

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.11.2025, 17:10

Një 20-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Kamzës, pasi u kap duke lëvizur me automjetin e tij i veshur me uniformë dhe stema që ngjanin me ato zyrtare të Policisë së Shtetit.

Pas verifikimeve, u zbulua se i riu nuk kishte asnjë lidhje me strukturat e policisë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët gjetën dhe sekuestruan katër dokumente identifikimi me të dhëna dhe foto të dyshuara si të falsifikuara, një armë sportive, një uniformë policie, 16 stema dhe grada të ndryshme, si dhe tre kapele me shenja që imitonin ato të Policisë së Shtetit.

Autoritetet njoftojnë se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht qëllimin dhe rrethanat e ngjarjes.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Nr. 5, gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të goditjes së paligjshmërisë në çdo fushë që shfaqet, në bulevardin “Nënë Tereza”, kanë konstatuar automjetin tip “Mercedes-Benz”, me drejtues shtetasin E. B, i cili ishte i veshur me uniformë dhe stema policore, të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.

Pas ndalimit të mjetit dhe verifikimit të mëtejshëm, rezultoi se drejtuesi, shtetasi E. B, nuk ishte punonjës policie.

Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

• 4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara;

• 1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra përkatës;

• uniformë e Policisë së Shtetit;

• 16 stema dhe grada të ndryshme;

• 3 kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe verifikimin nëse 20-vjeçari mund të jetë i implikuar në veprimtari të tjera të kundërligjshme, që lidhen me përfitime përmes përdorimit të pajisjeve dhe uniformave policore.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B, 20 vjeç, banues në Kamëz, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit